Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, është deklaruar hapur rreth mosdekretimit të tij si Kryeprokuror i Shtetit, duke komentuar zërat publikë se arsye për këtë vendim mund të jetë tërheqja e urdhër-arrestit për Milan Radoiçiqin në vitin 2021.
Ai tha se nuk e di arsyen pse nuk është dekretuar, por se nëse tërheqja e urdhër-arrestit është një prej arsyeve, atëherë sipas tij “kjo nuk duhet me qenë arsyeja”.
“Unë mendoj që këtu nuk ka arsye hiç. Nëse kjo është arsyeja, kjo nuk duhet me qenë arsyeje. Por të jeni të sigurt se unë arsyet nuk i di për mosdekretim” – deklaroi Isufaj.
Pasi u përmend fakti që kryeministri në detyrë Albin Kurti ka deklaruar në Kuvend se nuk i beson Isufajt, bashkë me Presidenten Vjosa Osmani dhe ish-kryeparlamentarin Glauk Konjufca, ai u përgjigj qartë duke thënë se nuk i prishë punë kjo gjë.
“Ata kanë thanë që s’më duan, edhe mirë që nuk m’dojnë. Nuk prishë punë. Nuk e di pse nuk më duan, pyetni ata.”tha, Isufaj në një intervistë për “KallxoPërnime”.