Lajme

Ismajli del me thirrje për bashkëatdhetarët: Shfrytëzojeni të drejtën e votës për 9 nëntor, ta kthejmë drejtimin e qytetit

Kandidati i LDK-së për kryetar të Gjilanit, Arbër Ismajli ka dalë me thirrje ndaj bashkëatdhetarëve rreth balotazhit, i cili do të mbahet më 9 nëntor.

Ai i ka ftuar të njëjtit të votojnë sërish për Gjilanin, me shpresë për ta rikthyer fitoren e tyre në këtë komunë.

“Të dashur bashkatdhetarë, Ju që çdo herë keni qenë zemra e Gjilanit, kudo që jetoni e punoni, po ju drejtohem me mirënjohje e besim të plotë. Falë jush, Gjilani gjithmonë ka fituar! Edhe këtë herë, më 9 nëntor, kemi një mundësi të madhe që ta kthejmë drejtimin e qytetit tonë dhe ta hapim kapitullin e Gjilanit të ri, qytetit të zhvillimit, të dinjitetit dhe të bashkimit.

Ju njoftoj se të gjithë ju që jeni regjistruar për votim me postë para fushatës zgjedhore të vitit 2025, do të keni mundësinë të votoni sërish në këtë proces të balotazhit nga data 27 Tetor deri me datë 08 Nëntor. Prandaj, ju bëj thirrje që të mobilizoheni masivisht, si gjithmonë, dhe ta dërgoni votën tuaj për Gjilanin, për qytetin tuaj, për qytetin tonë të përbashkët!”, tha ai.

Ismajli gjithashtu gjeti rastin t’i falënderojë për përkrahjen e përkushtimin ndaj vendlindjes së tyre.

“Faleminderit nga zemra për përkushtimin, përkrahjen dhe dashninë e pakushtëzuar që tregoni ndaj vendlindjes. Së bashku, po e sjellim ndryshimin që Gjilani e meriton! Përgjithmonë i juaji”, përfundoi ai.

Artikuj të ngjashëm

Back to top button