Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramë Buja ka rrëfyer në emisionin “n’Demos” momentin e arrestimit nga forcat serbe më 11 janar të vitit 1984.
Atë ditë, Buja thotë se e mban mend sikur të kishte ndodhur në ditët e sotme, pasi edhe mënyra e arrestimit ka qenë jo burrërore, dhe vetëm në ato mënyrat që sipas tij ka ditur t’i bëj Serbia.
“Aktvendimi i burgosjes shënon me 12 janar, por në fakt jam burgosur më 11 janar, në ditën kur kanë rënë edhe Rexhepi dhe Nuhiu në përleshjen me forcat serbe. Mua ma kanë bërë një rreng që thuhet, pasi ma kishin dërguar ftesën në shtëpi dhe meqë isha në përfundim të fakultetit, dhe atëherë ishte ajo koha që duhej të shkohej në shërbim ushtarak pasi të përfundohej fakulteti, dhe më kishin dërguar ftesën që unë të lajmërohem në ato zyret e tyre që të tregoj se kur jam i gatshëm të shkoj. Unë e nuhata që nëse nuk shkoj, do të duhej të veproja ilegalisht, por megjithatë shkova, e kur hyra aty ishte një mësues që më kishte dhënë mësim mua. E shikova e pashë që ishte i skuqur, sapo kam dal nga zyrja, shkallët poshtë më janë hedhur dy udbasha në shpinë, dhe u kam thënë çka është kjo, thanë të tregojmë më vonë. M’i vendosën prangat, më kanë bastisur shtëpinë e kështu”, është shprehur Buja “n’Demos”.
Ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së ka treguar edhe një lajm mjaft të rëndë që iu kumtua gjatë kohës sa ishte në burg.
“Me Enver Topallin jam njohur para se të njihem me Rexhep Malën dhe Nuhi Berishën. Me Nuhiun jam njohur në vitin ’81, ndërsa me Rexhën në ’83, dhe se kam ditur që është ai, edhe pse kam dëgjuar shumë për të, por pasi ata kanë rënë, ishte një goditje tepër e rëndë, dhe në burg më kumtua lajmi për ta, dhe aty e mora vesh se ishte ai që unë veprova me të, e bashkëpunoja. Ishte një goditje shumë e rëndë, por një motiv për të qenë më qëndrestar dhe më i vendosur drejt qëllimit final”, ka shtuar tutje ai.
Emisionin e plotë mund ta ndiqni këtu: