Shkruan: Dr. sc. Bekim Vishaj
Në vend të përkujtimit (mësuesit tim ), Avdi (Rexhep) Çekaj
Lajmi për ndarjen nga jeta të mësuesit Avdi (Rexhep) Çekaj, ka qenë lajm i pikëllueshëm, por, jeta ka ligjet e veta e që ne patjetër duhet te i pranojmë dhe respektojmë ato.
Familja e nderuar Çekaj, sot, humbi familjarin e tyre më të dashur, irzniqasit humbën një bashkëvendës të urtë dhe të edukuar, komuniteti i arsimit në Deçan dhe me gjerë humbi edhe një veteran të merituar nga radhët e veta. Kurse ne, nxënësit e mësuesit Avdi, sot, humbëm një pjesë të jetës, humbëm një njeri të rëndësishëm të historisë sonë personale, njeri i cili me punën dhe kontributin e tij la gjurmë ta pashlyeshme në jetën dhe karakterin tonë, humbëm mësuesin tonë të parë.
Mësuesi Avdi, ndër breza, suksesshëm edukoj gjenerata të tëra nxënësish dhe këtë gjë e bëri gjithherë me pasion dhe në mënyrën më të ndershme. Me angazhim dhe shumë sakrifica, mbi 40 vite punë në mësimdhënie, me detyrën e mësuesit, fitoj titullin “Veteran i arsimit”, se bashku me kolegët e tij gjatë gjithë kohës edhe përkundër vështirësive që sillin gjatë kohërave të ndryshme pushtuesit e këtij vendi, ata ishin të vendosur në misionin e tyre të shenjtë “mësues i shkollës shqipe”. Avdi Çekaj edhe gjatë luftës çlirimtare dha kontributin e tij, mësuesi se bashku me familjen (djalin e tij Rexhepin) u rreshtuan në radhët e UÇK-së.
Që të flas për personalitetin e mësuesit Avdi, duhet një kohë e gjatë, sepse, vet jeta dhe puna e tij ishin të veçanta dhe me plot vlera njerëzore dhe humane, vlera profesionale dhe kombëtare.
Ai, kishte karakterin prej një burri të sinqertë, me plot siguri dhe pedantëri në punë dhe në jetë, me plot dashuri e respekt për të gjithë ata që e rrethonin. Tek ai, natyrshëm ndërlidhej tradicionalja dhe bashkëkohorja, bukur i ndërlidhte vlerat dhe përgjegjësitë për profesionin dhe misionin e mësuesit, në imazhin e tij vërehej qartë një mësues dhe edukator i mirë dhe i suksesshëm. Ishte i veshur me tipare të larta edukimi dhe principe njerëzore dhe humane për jetën dhe profesionin. Për ne, ishte mësues, edukator, shok dhe prind i mirë. Si mësimdhënës, në vlerësimin e nxënësve, i paanshëm, i drejtë dhe kompetent në punën e tij profesionale dhe me një takt të mirëfilltë pedagogjik. Mësuesi Avdi, formën e komunikimit e kishte dhunti të lindur, ligjërimin e tij në klasë gjatë gjithë kohës e karakterizonin theksi i tij i butë dhe i qartë, buzëqeshja e lehtë dhe mirëkuptimi i vazhdueshëm në bisedë e sipër me nxënësit e vet, gjithmonë këmbëngulës dhe kërkues i dijes …, gjithnjë i pasuruar me një fuqi magjike ashtu edhe profesionale. Mësuesi Avdi ka një jetë të tërë që ia ka kushtuar profesionit fisnik të mësuesit duke shërbyer çdo ditë me pasion e dashuri të madhe për punën dhe duke krijuar modelin e shkëlqyer të mësimdhënësit në shkollë. Gjithmonë i udhëhequr nga parimet e larta etike dhe profesionale.
Edhe nga Etika e jashtme, pamja, qëndrimi dhe forma e komunikimit që kishte ai tregonin shumë, imazhi i tij fliste vet, ishte pasqyrë për t’u marrë shembull nga kolegët dhe nxënësit e tij.
Ishte modeli i “mësuesit ideal” që kam parë ndonjëherë në jetë, i papërsëritshëm dhe vetëm ai.
“Mësues i vërtetë, është ai që së pari ka mësuar vetë. Ai që me kohë e ka vlerësuar diturinë dhe është në gjendje deri në fund të ruaj përgjegjësinë”, i tillë ishte mësuesi ynë, Avdi (Rexhep) Çekaj (e huazuar).
Mësuesi Avdi, sot u nda nga ne vetëm fizikisht, sepse ai, gjithmonë do jetojë në kujtimet tona më të mira. Dhimbje, dashuri dhe respekt, njëkohësisht, për njeriun dhe mësuesin e mirë ! Lamtumirë, mësuesi Avdi ! Lutemi që shpirti yt i bardhë të pushoj i qetë në amshim ! Krenar gjithë jetën që isha nxënës i juaj.