Ish-ministri i Britanisë së Madhe për Evropën, Deni MacShane, ka thënë se Serbia po përgatit sulme të reja në Kosovë, të njëjta me ato që ndodhën shtatorin e kaluar në Banjskë.
Ai tha se këto provokime janë pjesërisht e politikës serbe, teksa shtoi se “shumë njerëz në Serbi, ende e shohin Kosovën në mënyrën që Franca e shihte Algjerinë 60-70 vite me parë, apo në mënyrën që Britania e shihte Irlandën 100 vite më parë”.
“Dua të them, fakti i qartë është se të gjithë e dinë se çfarë ndodhi, paraushtarakët erdhën fillimisht nga veriu i Kosovës, nga zonat serbe në veriun e Kosovës, organizuan një sulm, u vranë njerëz. Po, njerëzit do ta pranojnë këtë si të vërtetë të sigurt,fatkeqësisht këto provokime janë pjesërisht pjesë e politikës serbe”.
“Serbia nuk mund të pranojë përfundimisht poshtërimin e saj nga mposhtja. Na pëlqen apo jo, shumë njerëz në Serbi, ende e shohin Kosovën në mënyrën që Franca e shihte Algjerinë 60-70 vite më parë, apo në mënyrën që Britania e shihte Irlandën 100 vite më parë”, tha MacShaen për Euronews.
Për Denis MacShane, Kosova shihet nga qeveria serbe si pjesë e saj e pandashme, e si sipas tij, ende nuk është mundur të gjendet një urë komunikimi mes dy vendeve.
“Dhe nuk kemi gjetur dikë në anën e Kosovës që ndoshta ka mundur të vendosë komunikim. E di që kjo është një kërkesë e madhe, sepse të gjithë në Kosovë, me të drejtë e shohin veten si viktima dhe serbët duhet të ndëshkohen. Por nëse kjo gjuhë ndëshkimi dhe hakmarrjeje vazhdon, kam frikë se nuk do të ketë asnjë zgjidhje apo paqe”, tha ai.