Ish-marinsi që vrau Bin Ladenin: Ne fituam luftën, duhej të largoheshim nga Afganistani që në 2005-n

Një prej pjesëtarëve të forcave speciale amerikane që eliminuan liderin e Al Kaedës 10 vjet më parë thotë se ajo ngjarje duhej të kishte shënuar tërheqjen e SHBA-ve nga Afganistani.

Robert O’Neill, i cili pretendon se është pjesë e ekipit që qëlloi Osama bin Laden më 2 maj 2011 shprehet në një intervistë për francezen “Journal du Dimanche”, se një tërheqje në atë kohë do t’i kishte kursyer Amerikës turpin e javëve të fundit.

“Është e qartë se kjo histori u trajtua me qëllime të mëvonshme politike dhe jo në një mënyrë pragmatike dhe realiste. Ne mund t’u rikthehemi zhvillimeve disa herë, por përfundimi do të jetë gjithmonë i njëjtë: duhej të largoheshim në 2005. Misioni ynë fillestar ishte të mposhtim Al Kaedën dhe të eliminonim Osama bin Laden. Kështu që ne duhej të largoheshim pas kësaj. Të jesh dëshmitar i një fatkeqësie të tillë është një turp. Jam shumë i trishtuar veçanërisht për ata që vdiqën atje”.

Për ish-Navy Seal amerikan, Shtetet e Bashkuara nuk humbën gjithsesi. “Ne i fituam të gjitha betejat dhe e vramë bin Ladenin. Por talebanët po ndërtojnë një legjendë. Pas britanikëve dhe rusëve, u takonte amerikanëve të largoheshin dhe përveç kësaj, ata as nuk kishin nevojë të luftonin”. Në 2005, shpjegon O’Neill, “ne do të ishim pozicionuar jashtë Afganistanit dhe do të kishim kohë të mjaftueshme për të siguruar mbështetje ajrore. Do të kishte qenë e mjaftueshme të siguronim bazën Bagram jashtë Kabulit, të cilën Shtetet e Bashkuara e lanë në fillim të korrikut”.

Djali i një ish-punonjësi irlandez të minierës së bakrit dhe një ish-balerine, O’Neill doli vullnetar në moshën 19 -vjeçare në Marinën e Shteteve të Bashkuara me shpresën se do të bëhej snajper. Gjatë karrierës së tij ai ka marrë pjesë në 10 operacione të tjera në Irak dhe Afganistan, duke përfshirë atë për të shpëtuar kapitenin Richard Phillips në prill 2009 dhe sulmin blitz në kompleksin Abbottabad në Pakistan që u finalizua me eliminimin e kreut të Al Kaedës.

Reklama