Ish-luftëtari i luftës në Kroaci e në Kosovë, Kadri Kastrati i ftuar në emisionin “n’Demos”, ka bërë dallimin e këtyre dy luftërave, e që sipas tij nuk mund të bëhet një krahasim i tillë, pasi Kroaci ishte shtet e kishte polici e kufij të hapur, ndërsa një realitet krejt tjetër qëndronte në Kosovë.
Duke folur për këtë çështje, ai ka treguar edhe momentin e parë kur kishte ardhur në Kosovë, e që në Zonën ku kishte shërbyer kishte gjetur një armatim që numërohej në gishta të dorës.
“Në luftën e Kroacisë jam kyç që nga fillimi, më 17.07.1991, nëse i krahasojmë këto dy lufta, e që Kroaci ka qenë shtet, ka pasur një Polici e mbrojtje të mirë të organizuar, ka pasur kufij të hapur, e kanale të furnizmit me armë, dhe po ta krahasosh me Kosovën, kur kam ardh në maj të ’98, kam gjetur në Zonën Operative të Llapit, një pushkë, disa revole, dhe një gjysmë thesi bomba, që çdo e pesta ka funksionu, pra mund ta imagjinoni se ku ka qenë më vështirë. Ne si oficerë e kemi pasur edhe një mision shumë të rëndë, popullatën që nuk ka qenë e mbrojtur, e ne si UÇK e kemi pasur këtë rol, me ushqime, e barna e të gjitha ato i kemi furnizuar”, ka deklaruar Kastrati, përcjell GazetaDemos.
Angazhimi i Kastratit për Kosovën, kishte filluar edhe gjatë kohës sa ishte duke shërbyer në Kroaci, ku nga atje kishte zhvilluar disa takime më përfaqësues të Qeverisë së përkohshme në atë kohë, që të gjejnë një zgjidhje sa më të mirë për situatën që po mbizotëronte në Kosovë.
“Në Kroaci kanë luftuar 3200 ushtarë, është komuniteti më i madh jokroatë atje, 88 janë vra, me qindra janë të plagosur. Ne kemi luftuar në Kroaci, por mendja jonë ka qenë në Kosovë. Një grup i joni në shumë raste jemi takuar me përfaqësues të Kosovës që si të përgatitemi, kemi qenë në kontakt me shumë përfaqësues të Qeverisë në ekzil. Ne e kemi ditë shumë mirë se çfarë fuqie posedon ushtria serbe, në takimin e fundit në Gjermani, me Bujar Bukoshin kemi kërkuar që ai të takohet me oficerët shqiptar që lufta të filloj në Kosovë. Pas një muaji jemi takuar sërish, dhe na kanë thënë që në Kosovë nuk do të ketë luftë”, është shprehur ai.
Emisioni i plotë: