Ish-këshilltari i Kurtit: Pjesëtarë të regjimit të ri kanë fillu me e fajësu popullin për gjendjen e randë me COVID-19

Sipas Shkëlzen Gashit, “pjesëtarë” të qeverisjes së re, që ai e quan “regjim i ri”, nisën ta fajësojë popullin, pas rëndimit të gjendjes në Kosovë nga virusi.

Shkelzen Gashi, dikur këshilltar dhe bashkëpunëtor i Kurtit, thotë se “regjimi i ri”, pra qeverisja e Vetëvendosjes, filloi ta akuzojë popullin, pas rritjes enorme të infektimeve me Covid-19 në vend.

Situata e tanishme, Gashit ia kujton poezinë e poetit gjerman, Bertolt Brecht. Aty poeti thotë se pas kryengritjes së punëtorëve në Gjermaninë Lindore, qeverisja e saj staliniste, ishte hidhëruar me popullin dhe populli tani duhej të bënte shumë përpjekje, të ta rimarrë besimin e qeverisë.

 “Pjesëtarët e regjimit të ri kanë fillu me e fajësu popullin për gjendjen e randë me COVID 19. Kjo ta kujton poezinë e ithtë të Brecht-it mbi qëndrimet e udhëheqjes staliniste gjermano-lindore më 1953”, ka shkruar Gashi.

Poezia që ai e ka shpërndarë, thotë kështu:

Mbas kryengritjes më 17 qershor

Sekretari i Lidhjes së Shkrimtarëve

shpërndau fletushka në Stalinallee

që thoshin se populli

e kishte humbë besimin e qeverisë

dhe mund ta kthente veç

me përpjekje të dyfishueme.

A s’kish me qenë ma lehtë

n’atë rast që qeveria

ta shkarkonte popullin

dhe ta zgjedhte nji tjetër?

Bashkë me kryeministrin e tanishëm, Gashi ka qenë i angazhuar në organizatën “KAN”, që më vonë u definua si “Lëvizja Vetëvendosje”.

Gjatë Qeverisë së parë të Kurtit, në gjysmën e parë të 2020-s, ai e angazhoi bashkëpunëtorin e kahmotshëm, si këshilltar politik.

Gashi kërkoi lirimin nga detyra, pas presionit që iu bë Kurtit për ta shkarkuar, për një deklaratë të këshilltarit të tij, që nga disa u interpretua si “kundër UÇK-së”. 

Reklama