Adrian Prenkaj, ish-këshilltar i presidentes Atifete Jahjaga, ka thënë se marrëveshja e nënshkruar mbrëmë mes Kosovës dhe MCC-së ka vlerë shumë të madhe për vendin.
“Marrëveshje jashtëzakonisht e rëndësishme për Kosovën, ky program, kjo marrëveshje është programi më i madh në botë që është ndarë nga MCC-ja nëse shikohet për kokë banori. Marrëveshja me MCC-në dëshmon përkushtimin e madh të administratës Biden dhe ShBA-së për zhvillimin euroatlantik të Kosovës”, ka thënë Prenkaj.
Ai, në Info Magazine të Klan Kosovës, ka theksuar se ish-presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, sa ishte në detyrë, e kishte nisur punën për përzgjedhjen e Kosovës për të fituar fonde nga MCC.
“Tani, në vitin 2015 presidentja Jahjaga ka vendosur si prioritet angazhimin për kualifikimin e Kosovës për fondet e MCC-së. Siç e dini pra për t’u kualifikuar te fondet e MCC-së, janë programe ndihmëse që vendet duhet t’i përmbushin standardet rigoroze, ne në atë kohë kemi filluar procesin e kualifikimit për fondet e MCC-së, e cila është udhëhequr nga presidentja Atifete Jahjaga, presidentja e kishte formuar një grup punues që ka pasë për qëllim që të fillojë procesin e kualifikimit, grumbullimit të të dhënave dhe përmirësimit të indikatorëve siç kërkohen pra nga MCC”.
“Në atë kohë pjesë e grupit kanë qenë disa institucione siç është Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Financave, Ministria e Arsimit, Agjencia e Statistikave, si dhe kemi marrë një mbështetje shumë të madhe edhe prej agjencive të specializuara të OKB-së në Kosovë. MCC publikon vlerësimin për secilin shtet në botë, sipas indikatorëve, në fund të vitit 2015 Kosova për herë të parë ka kaluar vlerësimin e MCC-së. Kjo i ka hapur rrugë përfitimit të fondeve nga kjo agjenci amerikane”.
“Më pastaj, pas përfundimit të mandatit të presidentes ky proces i është bartur Qeverisë së Kosovës në atë kohë, më pas është miratuar programi i parë i MCC-së në vlerë të 40 milionë dollarëve, i cili krahas zbatimit të këtij programi në vitin 2018 ka filluar programi më i madh, i cili tashmë është nënshkruar programi Kompakt, i cili është një program shumë më i madh dhe shumë më domethënës”, ka thënë Prenkaj.