Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka thënë se zgjedhjet në veri duhet të shtyhen.
Ai tha se përkundër që vendimi për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës nga presidentja Osmani, ka qenë kushtetues zgjedhjet mund të shtyhen nëse ka arsye.
“Presidentja ka të drejtë ti shtyjë zgjedhje por duhet pasur një arsyetim. Kur arsyetimi e mbulon pjesën ligjore atëherë kur siguria mund të shkatërroj ndonjë proces zgjedhor. Unë mendoj se zgjedhjet duhet të shtyhen”, ka thënë Kryeziu në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Kërkesë për shtyrjen e zgjedhjeve ka bërë edhe ambasadori i ShBA-së në Kosovë.
Ai ka thënë se nuk ka kushte për organizim të zgjedhjeve.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se Policia e Kosovës ka kapacitete për të ofruar siguri për organizmin e zgjedhjve, por ka thënë se vendimi për shtyrje ose jo u takon institucioneve përkatëse.
Të martën në mbrëmje ka pasur disa shpërthime në veri të Mitrovicës ku janë sulmuar edhe zyret e KKZ-së.
Zgjedhjet në veri të vendit të shpallura më 18 dhjetor vijnë pas largimit të serbëve nga institucionet e Kosovës pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat.