Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka deklaruar të premten se Republika Islamike nuk është e gatshme të hyjë në asnjë lloj negociatash për sa kohë që Izraeli vazhdon me sulmet ajrore ndaj objektivave iraniane.
Në një intervistë për televizionin shtetëror, Araghchi tha se Teherani nuk do të zhvillojë bisedime as me Shtetet e Bashkuara, të cilat i akuzoi se janë bashkëpërgjegjëse për “krimet e Izraelit ndaj Iranit”.
“SHBA-ja është palë në agresion. Nuk ka dialog përderisa sulmet vazhdojnë,” theksoi ai.
Ministri iranian parashikoi se “pas rezistencës së Iranit, vendet e tjera do të distancohen nga agresioni izraelit”, duke shprehur besimin se përkrahja ndërkombëtare për Izraelin do të zbehet.
Megjithë qëndrimin e ashpër, mediat shtetërore iraniane dhe burime diplomatike evropiane konfirmuan se Araghchi pritet të takohet me ministrat e Jashtëm të Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe në Gjenevë.