Roja Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) ka konfirmuar se komandanti i lartë ushtarak, Saeed Izadi, është vrarë gjatë sulmeve ajrore izraelite, raportoi agjencia iraniane Tasnim, e afërt me IRGC-në.
Izadi ishte komandant i Forcës Quds — njësia jashtëterritoriale e IRGC-së — dhe kishte një rol kyç në koordinimin me Hamasin dhe grupet e tjera të armatosura palestineze. Në deklaratën zyrtare të IRGC-së nuk është përmendur se kur dhe ku ndodhi vrasja e tij, transmeton BBC.
Ushtria izraelite (IDF) njoftoi më 21 qershor për vrasjen e Izadit, duke e përshkruar atë si një nga arkitektët e sulmit të 7 tetorit nga Hamasi ndaj Izraelit.
Izadi ishte sanksionuar nga Mbretëria e Bashkuar në vitin 2023 për kërcënime të supozuara ndaj paqes dhe sigurisë në Lindjen e Mesme, si dhe për plane për vrasje në territorin britanik.
Po ashtu, ai ishte vendosur në listën e zezë nga Shtetet e Bashkuara që në vitin 2019 për financim të dyshuar të Hamasit në shuma prej miliona dollarësh.