Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e tre policëve, të cilët dyshohet se kanë arrestuar një punonjës të sigurimit për Misionin e EULEX’it, pas një incidenti lidhur me parkimin e një veture private, që ishte duke e drejtuar një zyrtar policor. Ata dyshohen se kanë kryer veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.
Rasti ka ndodhur para hyrjes së parkingut të Misionit EULEX afër stadiumit të futbollit “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Në njoftimin e IPKsë thuhet se punonjësi vendor i sigurimit të Misionit të EULEX ishte në detyrë të sigurimit të auto-parkingut të veturave të EULEX-it në kohën kur ka ndodhur incidenti.
“Bazuar në këto veprime fillestare hetimore, me dyshimin se zyrtarët e përfshirë në këtë rast kanë kryer veprën penale “ Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, IPK në interes të hetimit ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policorë të Njësitit të Reagimit të Shpejt në Drejtorinë Rajonale në Prishtinë”, thuhet në njoftim.
Tutje, thuhet se hetuesit e IPK’së në koordinim më Prokurorinë e Shtetit do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen më këtë rast.