Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur një hetim preliminar për të vlerësuar reagimin policor në menaxhimin e protestës së djeshme në Prishtinë.
Sipas IPK-së, hetimi ka nisur pas reagimeve nga gazetarët dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës për reagimin policor gjatë menaxhimit të protestës së djeshme.
“Hetuesit e IPK-së aktualisht janë në fazën e grumbullimit të informacioneve dhe analizimit të pamjeve të ndryshme përfshirë edhe ato që tashmë janë publikuar”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se dje Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka publikuar pamje në të cilat shihet se si shtyhet me forcë kameramani i një medie i cili ishte duke e kryer punën e tij.
“Përballë kësaj dhune të paprecedent të drejtuar ndaj pjesëtarëve të medies, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i bën thirrje Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) që të hetojë urgjentisht të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, që kanë kaluar kompetencat e tyre duke penguar punën profesionale të anëtarëve te medieve”, tha dje AGK-ja në reagimin e tyre.