Lidhur me vdekjen e 27-vjeçarit në Lipjan, Inspektorati Policor i Kosovës ka dalë me një komunikatë për media.
Në të thuhet se IPK për rastin është njoftuar në orët e hershme të mëngjesit, dhe se zyrtarët policor kishin reaguar në incidentin në fjalë në rrugën “Haradin Bajrami”.
“Inspektorati Policor i Kosovës është njoftuar sot në orët e hershme të mëngjesit nga Policia e Kosovës lidhur me një incident që kishte ndodhur pas mesnatës në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan . Zyrtarët e Policisë së Kosovës kishin reaguar në këtë incident pas pranimit të informacionit për një person të dyshuar në rrugën ‘Haradin Bajrami’ në Lipjan i cili më vonë ishte raportuar se ka vdekur”, thuhet në komunikatë.
Tutje IPK thotë se “njësitet relevante hetimore policore si dhe prokurori kanë dalë në vendin e ngjarjes kurse trupi i pajetë i personit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”
Rasti po trajtohet si “hetim mbi vdekjen”.
“Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe shumë veprime hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë incident”, thuhet mes tjerash në komunikatë.