Kushdo që e vjedhë energjinë elektrike përmes kyçjeve ilegale, sanksionohet me ligj.
Por, Hashim Idrizi, një invalid i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga Skenderaj, insiston të mos i paguajë faturat e energjisë, ndonëse ndaj tij ekzistojnë 19 dënime të plotfuqishme të gjykatave për kyçje ilegale të rrymës.
Me rreth tetë mijë euro obligime të papaguara ndaj Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), Hashim Idrizi ishte paraparë të vuante një burgim prej 17 ditësh për një dënim të plotfuqishëm të gjykatës kundër tij për vjedhje të rrymës.
Më 23 shkurt të këtij viti, Gjykata Themelore në Mitrovicë nxori urdhër për burgosjen e invalidit të UÇK-së. Dënimi ishte paraparë të hynte në fuqi nga 7 marsi, nëse ai nuk do të paguante dënimin me gjobë prej 150 euro, të shqiptuar nga gjykata.
Por, Idrizi i është shmangur burgut. Ai thotë se disa miq të tij ia kanë paguar dënimin me gjobë.
Idrizi e ka pranuar kryerjen e veprave penale të keqpërdorimit me energji elektrike.
“19 dënime i kam unë. Kam hip e kom lidhë [rrymën], e kam zgjidh vet në majë të banderit”, ka thënë ai, i pyetur në lidhje me veprimet e kundërligjshme për të cilat është dënuar. “M’i kanë sjell dënimet e unë i kom shqyer, ato dënime i kanë pagu disa shokë”.
Së paku nga viti 2011, Hashim Idrizi, i cili jeton në gjendje të rënduar financiare, pretendon se përplasja e tij me KEDS-in ka filluar 12 vite më parë kur derisa jetonte në një kontejner, në mungesë të nevojave elementare për jetesë, i kishte ardhur një fatura e rrymës në vlerë 1 mijë e 600 euro.
“Në 2011 më ka ardhë fatura e rrymës 1666 euro, unë e marr ni social prej 170 euro dhe s’kam pas mundësi me pagu edhe qysh harxhon njeri në një barakë gjithë atë rrymë”, është shprehur Idrizi për Paparacin.
Veterani i UÇK-së, ka thënë se i ka edhe pesë lëndë të tjera në gjykatë për kyçje ilegale por pretendon se nuk ka qenë i vetëdijshëm për veprat penale. Është ankuar se nuk është njoftuar asnjëherë nga zyrtarët e KEDS-it për dërgimin e lëndëve të tij në gjykatë.
“Edhe pesë [lëndë] të tjera i kam nëpër gjykata. Unë e kam lidhë në të zezë rrymë, këta kurrë nuk më kanë sjell vërejtje që më kanë dërgu në gjykatë”, ka thënë Hashim Idrizi.
Një fushatë e nisur në rrjetet sociale disa ditë më parë, bënte thirrje që Hashim Idrizit, veteranit të luftës nga Prekazi i Epërm, t’i ofrohej ndihmë për pagesën e gjobës në mënyrë që të mos vuante burgim për keqpërdorim të energjisë elektrike.
Idrizi tha se fushata për t’i dal në ndihmë atij, ka rezultuar e suksesshme. Urdhri për dërgimin e tij në burg nuk është ekzekutuar. Gjobën prej 150 eurosh, siç tregoi ai, e ka paguar një mik i tij.
Veterani i UÇK-së insiston se do të vazhdojë të mos paguajë energji elektrike derisa të zgjidhet çështja e faturës prej 1666 eurove, të cilën pretendon se iu është faturuar gabimisht.