Këshilli Prokurorial i Kosovës ka intervistuar të premten 5 kandidatë për kryeprokuror të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe një për kryeprokuror të Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Sipas njoftimit për media, panelet vlerësuese përbëhen nga 5 anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe kryesohen nga Kryesuesi i KPK-së, Jetish Maloku.
Sipas njoftimit për media, në intervistë për pozitën e kryeprokurorit special kanë marrë pjesë: Atdhe Dema, Blerim Isufaj, Naim Abazi dhe Valdet Gashi, kurse kandidat për pozitën e kryeprokurorit të Prokurorisë në Prishtinë ishte Zejnulla Gashi.
“Procesi i intervistimit të kandidatëve për pozitën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë është monitoruar nga përfaqësues të Ambasadës Amerikane, Misionit për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), Zyrës së BE-së në Kosovë, Programit të BE-së për Sektorin e Drejtësisë në Kosovë (EUKOJUST) dhe shoqërisë civile”, thuhet në njoftim.
KPK-ja thuhet në njoftim, se do t’i mbajë mediet dhe opinionin publik të informuar në vazhdimësi lidhur procedurat dhe procesin e mëtejshëm të përzgjedhjes së këtyre pozitave në sistemin prokurorial.
Procesi i zgjedhjes së kryeprokurorit është stërzgjatur me muaj të tërë. Blerim Isufaj ishte votuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për Kryeprokuror të ri të Shtetit me 11 vota pro që nga prilli i vitit të kaluar, por më 17 tetor të këtij viti, presidentja Vjosa Osmani njoftoi se nuk do ta dekretoj Isufajn për shkak të shkeljeve në procesin e zgjedhjes së tij.
Më 1 nëntor, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka dorëzuar për të dytën herë emrin e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale Blerim Isufajt, për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka kërkuar që ky proces të kthehet dhe do të kthehet në pikën zero.