VETJA, DIELLI DHE UJI
Adem Demaçi, njëri prej shkrimtarëve tanë të rinj, u dallua me punën e vet letrare qysh në bankat e gjimnazit. Përveç bahkëpunimit me revistën letrare “Jeta e re”, “Zëri i rinisë” etj.
Demaçi u shpërblye dy herë në konkurset tanë letrarë për tregime. Në kohën e fundit në edicionin e “Jetës së re” doli nga shtypi romani i tij i vogël “Gjarpinjtë e gjakut”, të cilin kritika e parë e çmoi si krijim mjaft serioz letrar.
* Cili libër apo shkrimtar të shtyri me i shkruar rreshtat e parë?
– E kupton edhe vetë se shumë lehtë do të kisha mundur me të rrejtur, por unë po të tregoj drejt, se nuk më kujtohet as cili libër e as cili shkrimtar më ka shtyrë me shkruar rreshtat e parë…
* Në krijimtarinë tënde je mjaft i prirur kah motivet e ambienti i katundit. Si e shpjegon këtë gjë?
– Paj, krejt thjesht: jeta në qytetet tanë është ende e panuancuar dhe e pakristalizuar sa duhet, kurse jeta në katundin tonë tashmë është kristalizuar, diku madje ka nisur edhe me u shpartalluar, prandaj unë, si njohës i kësaj jete (edhepse vetë jam qytetar), si punëtor që kërkoj frymëzimet e mi në vetë gurrën e jetës, jam më tepër i lidhur për katundarin dhe katundin tonë, ndonëse kam shtjelluar dhe shtjelloj artistikisht edhe motive nga jeta qytetare.
* Poeti, romansieri dhe dramaturgu yt numër një? – Autori i “Këngëve të Ali Binakut”, Shollohovi, Shekspiri… * Prej letrarëve të rinj shqiptarë cilin e çmon më tepër? – Kallushin. * A kishe mundur me na thënë se çka u mungon të përkohshmeve tona?
– U mungon decentralizimi, sepse ka njerëz që punojnë edhe në dy e më shumë redaksi! E kjo gjë sjell mungesën e polemikave (jo sharjeve – natyrisht), mungesën e larmisë së duhur, gjallërisë – gjëra që janë të domosdoshme për me e shtuar interesimin e lexuesve tanë.
* Çka mendon për letrarët që shkruajnë me një stil krejt të kundërt me atë tëndin?
– Mendoj se janë njerëz më të mençur se unë.
* Sipas mendimit tënd, çka nuk është thënë në letrat tona?
– Unë do të pyetja: po çka është thënë?
* Çka mendon në lidhje me “Gjarpinjtë e gjakut”?
– Mendoj se a thua kur e ku ka lindur dhe në ç’vend është rritur ai student shqiptar, i cili mendon se “Gjarpinjtë e gjakut” nuk janë shkruar në mënyrë bashkëkohore? Ndoshta edhe ai mendon se vetëm Vasko Popa shkruan në mënyrë bashkëkohore.
* Po romani “S’ka paqe ndër kasolle”?
– Po piqet.
* Kur do të dalin prej shtypit tregimet “Kur zoti harron”?
– Kur të harroj edhe vetë unë se kur ia kam dorëzuar shtëpisë sonë botuese për botim.
* Po të mos merreshe me letërsi, me çka do të merreshe?
– Me politikë.
* Çka doni më së shumti?
– Veten, diellin dhe ujin.
* Çka ke mëri më së tepërmi?
– Atë që i bën parasë aman, i thotë lajkës derman dhe që lëpin çdo sahan.
* Çka i duhet një letrari bashkëkohës?
– Shpirti i shëndoshë, zemra e luanit dhe një shoqe e jetës që do t’i ndihmonte me harruar se jeta ka edhe përpjetëzat e veta…
* Çka je duke shkruar tash? – Më fal, por më mire është me hedhur satelitin e mandej me treguar, sasa me ia bërë si amerikanët para disa kohe… Nebil Duraku
“Zëri i rinisë”, Prishtinë, nr. 12, shtator 1958, f. 5