Infektologu Dreshaj: Shteti po e trajton jetën njerëzore, vetëm si statistikë ditore të infeksioneve

Infektologu i njohur, tani deputet në Kuvendin e Kosovës Dr.Shemsedin Dreshaj, ka deklaruar se është fatkeqësi që jeta njerëzore po trajtohet vetëm si shifër në statistikat ditore të infeksioneve me Covid19.

Dr.Dreshaj ka shkruar në Facebook se shtetet janë krijuar për të mbrojtur jetën e qytetarëve të tyre.

“Është fatkeqësi e madhe që jeta njerëzore po trajtohet nga shteti vetëm si shifër në statistikat ditore të të infektuarve. Jeta është e shenjtë dhe është obligim shtetëror që ajo të mbrohet. Vet shtetet janë krijuar për të mbrojtur jetën e qytetarëve të tyre.”, ka shkruar Dr. Dreshaj.

Deputeti Shemsedin Dreshaj krahas shkrimit, ka ndarë dy fotografi, me stafin e Klinikës Infektive në Prishtinë, ku edhe u ankua për kushtet e rënda në të cilat punojnë mjekët dhe stafi teknik.

“Në Klinikën Infektive, nuk punon as porta dezinfektuese. Brenda klinikës, në mungesë stafi, po kujdestarojnë edhe kryeinfermierët. Fuqia shpirtërore e këtyre grave dhe burrave është për admirim. Nuk dorëzohen asnjëherë.”, ka shkruar Dr. Dreshaj, duke pyetur krejt në fund: “Po shteti, ku është?”.

Ndryshe, pas largimit nga puna të qindra mjekëve e infermierëve, që ishin angazhuar si staf shtesë në kuadër të luftimit të pandemisë Covid19, gjendja në SHSKUK, spitale regjionale e QKMF, paraqitet e tmerrshme. Kjo, pasi që numri i rasteve aktive të qytetarëve të infektuar me COVID19, ka kaluar mbi 19 mijë.

Reklama