Një incident kishte ndodhur mes kapitenit të Kosovës Amir Rrahmanit dhe kryetarit të “Dardamëve” Lulzim Berisha, gjatë ndeshjes kundër Qipros në “Fadil Vokrri”.
Lidhur me këtë lideri i tifozërisë gjatë ditës së djeshme i kishte kërkuar falje Rrahmanit.
E pas kësaj ka reaguar edhe Federata e Futbollit të Kosovës.
FFK-ja i ka dal në mbrojtje futbollistëve duke kërkuar respekt për ta.
“Konsiderojmë që kërkimfalja që ka ndodhur ndaj kapitenit dhe futbollistëve shënon mbylljen e një rasti aksidental të momentit dhe shpresojmë se do të shërbejë si rast që do të lidhë edhe më fuqishëm ekipin dhe përkrahësit para sfidave të reja të kombëtares sonë”, thuhet në reagim.
“Përtej kësaj Federata, çmon shumë dhe shpreh falënderimin e vet për të gjithë tifozët dhe shikuesit që e përcjellin dhe e përkrahin ekipin kombëtar, por kërkon nga ta që të shfaqin respektin fillimisht për futbollistët e ekipit tonë kombëtar, mirëpo edhe për të gjithë akterët tjerë të ndeshjes, përfshirë edhe ekipin kundërshtar”.
Tutje, institucioni më i lartë i futbollit në Kosovë shton se bashkë edhe me futbollistët e kombëtares e kuptojnë saktë dhe drejt reagimin e tifozëve, por në të njëjtën kohë nuk do të lejojmë që reagimet të cenojnë respektin për asnjë prej anëtarëve të ekipit kombëtar.
“Në të njëjtën kohë, FFK-ja kërkon nga të gjithë anëtarët e saj, përfshirë edhe futbollistët e ekipit kombëtar, që të shfaqin respektin e duhur për të gjithë tifozët dhe shikuesit që vijnë për të përkrahur kombëtaren pa kushtëzim, në numër maksimal sa lejon kapiciteti i stadiumit, sepse janë ata që i japin emocion lojës së futbollit”.
Ekipi kombëtar është i të gjithë Kosovës, prandaj ta duam dhe ta përkrahim secili duke dhënë kontributin nga këndi i vet.
“Dardanët” gjatë muajit tetor i ka shënuar dy fitore.
Skuadra e udhëhequr nga Franco Foda, e ka mposhtur si mysafire Lituaninë me rezultat 1:2, derisa në “Fadil Vokrri” Qipron, me rezultat 3:0.
Më 15 nëntor do të zhvillohet ndeshja kryesore për Kosovën.
Në Bukuresht, do të përballen me Rumaninë që do të jetë thuajse ndeshje finale për Kosovën në rrugëtimin drejt kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026-të.
“Dardanëve” aty mund t’ju kryejë punë vetëm fitorja.