Shoqata Kombëtare Shqiptare për Shpëtim në Male dhe Kërkim (ShKShMK) njofton se ditën e sotme ka ndërhyrë me urgjencë në një incident të rëndë në malin e Korabit.
Një banor vendas dhe një turist me shtetësi gjermane janë helmuar pasi kanë konsumuar gabimisht një bimë helmuese, tashmë e identifikuar nga autoritetet përkatëse. Gjendja e tyre shëndetësore është përkeqësuar me shpejtësi, duke kërkuar reagim të menjëhershëm.
Falë ndërgjegjes dhe pranisë së mendjes së njërit prej turistëve, është bërë e mundur dërgimi i koordinatave përmes rrjetit telefonik mobil. Menjëherë pas marrjes së thirrjes, dy anëtarë të ShKShMK, të cilët ndodheshin pranë zonës, janë nisur drejt vendngjarjes.
Të dy të prekurve u është dhënë ndihma e parë në terren dhe janë mbajtur në monitorim të vazhdueshëm. Megjithatë, për shkak të gjendjes së rënduar dhe rrezikut për jetën, është kërkuar evakuimi i tyre me helikopter.
Autoritetet shqiptare reaguan me efikasitet duke nisur një ekip mjekësor dhe shpëtues nga njësia ajrore. Me të mbërritur në vendngjarje, ekipi kreu procedurat emergjente mjekësore dhe realizoi evakuimin e suksesshëm drejt Qendrës Spitalore Universitare në Tiranë.
ShKShMK falënderon të gjithë profesionistët për punën shembullore dhe koordinimin efikas në kohë rekord.
Pacientëve u urojmë shërim të shpejtë dhe të plotë.