Një incident i pazakontë ka ndodhur në një fluturim të linjës ajrore “Thai Lion Air” nga Bangkok, ku një pasagjer mbipeshë u detyrua të largohej me forcë nga avioni pas një përplasjeje me ekuipazhin për shkak të mungesës së hapësirës në vendin e tij.
Pasagjeri, i cili ishte i veshur me një bluzë portokalli me figurën e Garfield-it, kërkoi të zhvendosej në vendin e daljes së emergjencës për më shumë hapësirë për këmbët. Megjithatë, ekuipazhi refuzoi kërkesën, duke shkaktuar tërbimin e tij dhe thirrjen e policisë.
Fluturimi u vonua për rreth një orë derisa autoritetet e siguruan dhe e nxorën zvarrë nga avioni Boeing 737. Pamjet e incidentit tregojnë momentin kur pasagjeri shtrihet në dysheme, duke bllokuar korridorin në shenjë proteste, ndërsa pasagjerë të tjerë shprehin pakënaqësi ndaj tij.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale, ku disa e kanë quajtur pasagjerin “egoist” dhe kanë mbështetur veprimet e stafit të fluturimit.