Sipas Ligjit Nr. 04/L-101 për Fondet Pensionale të Kosovës, i ndryshuar dhe i plotësuar me Ligjin nr. 05/L-116, Bordi Drejtues i Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK-së) përbëhet nga tetë anëtarë, prej të cilëve njëri duhet të jetë përfaqësues i organizatave të punëmarrësve, respektivisht sindikatave.
Më 13 korrik 2023, Kuvendi i Kosovës emëroi kryesuesin dhe anëtarët e Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (Emanuel Bajra-kryesues, Shpresim Vranovci-anëtar, Mimoza Mustafa-anëtare, Cyril De Maria-anëtar dhe Trim Shala-anëtar). Emërimi i tyre u bë pa u plotësuar pozita e përfaqësuesit të punëmarrësve pasi që Komisioni për përzgjedhjen e anëtarëve, konsideroi se për pozitën e njejtë nuk i plotësoi kushtet asnjëri nga 10 aplikantët.
Komisioni vendosi që procesi i përzgjedhjes për këtë pozitë të ndërpritet dhe të rishpallet konkursi. Edhe kur kanë kaluar mbi dhjetë muaj nga procesi i fundit, udhëheqësit e institucioneve kompetente për të inciuar shpalljen e konkursit për plotësimin e anëtarit nga organizatat e punëmarrësve, respektivisht sindikatave, nuk është ndërmarr asnjë veprim.
Në këto rrethana, më 2 maj 2024, IKD, përmes kërkesës për qasje në informata, ka kërkuar nga përfaqësuesit e institucioneve për të përmbushur këtë obligim sqarime se pse nuk është ndërmarrë ende asnjë veprim që i obligon ligji. IKD ka kërkuar informacion nga Guvernatori i BQK-se, Ahmeti Ismaili, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe nga Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, se cilat janë arsyet që përbërja e FKPK-së ende nuk është plotësuar, veçanërisht me përfaqësuesin e organizatave të punëmarrësve dhe se kur do të fillojnë procedurat për plotësimin e kësaj pozite.
Gjithashtu, në të njejtën datë, IKD i është drejtuar edhe Kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca dhe Kryetarit të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, Armend Muja, me pyetjet se cilat janë veprimet e tyre për t’u kompletuar përbërja e Bordit të FKPK-së, veçanërisht me përfaqësuesin e organizatave të punëmarrësve dhe se a kanë komunikuar me të njëjtit, me Guvernatorin, Ministrin e MFPT-së dhe me Auditoren e Përgjithshme për këtë çështje dhe nëse nuk kanë komunikuar, cilat janë arsyet për mosveprimet e tyre.
Edhe pse kanë kaluar dy javë nga kërkesa e parashtruar nga IKD, asnjëri nga ta nuk ka kthyer përgjigje, duke dëshmuar mungesën e transparencës dhe llogaridhënies së tyre në raport me publikun dhe obligimet ligjore që kanë.
Lidhur me këto zhvillime, IKD vlerëson se kjo neglizhencë e udhëheqësve të këtyre institucioneve përgjegjëse paraqet shqetësim, fillimisht me qasjen e këtyre institucioneve, të cilat kanë marrë besimin e përfaqësuesve të qytetarëve (Guvernatori i BQK-së, Ministri i Finanacave, Punës dhe Transfereve, Auditorja e Përgjithshme, Kryetari i Kuvendit dhe Kryetari i KBPT), për të mos u përgjigjur në pyetje elementare lidhur me çështjen në fjalë, të parashtruara nga IKD.
Së dyti, IKD gjithashtu vlerëson si situatë tejet shqetësuese, cenimin e vazhdueshëm të përfaqësimit të sindikatave në Bordin e Fondit të Kursimeve Pensionale, proces ky për të cilin përgjegjës janë bartësit e lartëcekur të institucioneve të pavarura dhe bartësve të pushtetit politik.
Mos përgjegjësia e institucioneve lidhur me kërkesat tona, paraqet shkelje të besueshmërisë dhe proceseve demokratike, kështu duke kontribuar në cenimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit.
Përfshirja e sindikatave në bordin e FKPK-së është obligim ligjor që duhet të zbatohet pa asnjë vonesë. Përfaqësimi i tillë kontribuon në një strukturë qeverisëse gjithëpërfshirëse, efektive, shumë të nevojshme dhe të domosdoshme. Punëtorët duhet të përfaqësohen në mënyrë adekuate në procesin e vendimmarrjes tek përfitimet pensionale (mbrojtjen dhe rritjen e tyre), si dhe ata duhet të kenë mundësinë e ngritjes së shqetësimeve për çdo ndryshim të propozuar në planin e pensioneve.
Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) sugjeron që qeverisja e mirë e kursimeve pensionale bëhet vetëm përmes përfaqësimit të balancuar të palëve të interesit në bordet e fondeve të kursimeve pensionale. Në disa vende të Bashkimit Evropian, një përfaqësim i tillë është edhe i barabartë ndërmjet punëdhënësve dhe punëmarrësve dhe në disa raste përfaqësimi duhet të jetë më së paku 1/3 e përfaqësuesve të punëtorëve. Në Kosovë, përfaqësimi i sindikatave edhe pse është në pragun minimal, ky përfaqësim vazhdon të cenohet nga institucionet e Kosovës.
Në mënyrë që çdo institucion shtetëror të funksionojë siç parashihet, plotësimi i organeve kolegjiale duhet të bëhet në mënyrë efikase, në pajtim me ligjin dhe në mënyrë transparente. Kriteret për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të FKPK-së janë të qarta dhe nuk lënë asnjë bazë për stërzgjatje të procesit. Prandaj, IKD, kërkon nga bartësit e institucioneve përgjegjëse, që të shpallin konkursin për këtë pozitë dhe për pozitat e tjera të lira në Bordin e FKPK-së.
IKD vlerëson se mos shpallja e konkursit për këtë pozitë deri tash, reflekton në rezistencën dhe tentativën e Guvernatorit të BQK-së, Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve dhe Auditores së Përgjithshme, që sindikatat të mos kenë përfaqësim të duhur në këtë organ.
Përgjegjësia lidhur me pasojat negative që punëtorët mund të kenë në gjendjen e kursimeve të tyre, respektivisht në reputacionin dhe besueshmërinë e institucionit, si brenda ashtu edhe jashtë, mbetet mbi këta akterë të këtyre institucioneve.