Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) njofton se pas një periudhe të zgjatur me temperatura të larta dhe mungesë reshjesh, vendi është përfshirë nga reshje shiu.
Reshjet kanë pasur intensitet të ulët deri mesatar dhe janë regjistruar në pjesën më të madhe të territorit, duke vazhduar deri në orët e para të mëngjesit të sotëm, 22 gusht.
Ky ndryshim meteorologjik ka ndikuar në uljen e temperaturave për rreth 2–3°C në mbarë vendin, si dhe ka sjellë përmirësime të ndjeshme në situatën klimatike dhe mjedisore.
Reshje lokale pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme deri pasdite, me ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e gjendjes me zjarret, si në Kosovë, ashtu edhe në rajon. Këto reshje kontribuojnë në shuarjen e vatrave ekzistuese të zjarrit dhe zvogëlojnë rrezikun për përhapje të mëtejshme.
IHMK gjithashtu ka marrë shqetësime nga qytetarët, media dhe disa institucione për mundësinë e paraqitjes së “stuhive të fuqishme” dhe “erërave të forta”, veçanërisht në zonën e Prishtinës.
IHMK sqaron se këto pretendime janë përhapur nga portale të paautorizuara dhe nuk kanë qenë të bazuara në të dhëna zyrtare. Këto informacione kanë krijuar panik dhe shqetësime të panevojshme te qytetarët.
IHMK apelon që qytetarët dhe mediat të referohen vetëm te burimet zyrtare për informata të sakta dhe të verifikuara në lidhje me gjendjen meteorologjike.