“Kosova nuk po shkëlqen në arenën ndërkombëtare sikur Shqipëria”, ishte fjalia e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama me të cilën zgjodhi ta kritikojë Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, dje në seancën e përbashkët të dy qeverive shqiptare, raporton GazetaDemos.
Këtij fjalimi i është përgjigjur e para e kësaj ministrie, Donika Gërvalla, e cila tha se Rama e keqpërdori foltorën e Kuvendit të Kosovës, për të bërë fushatë kundër Qeverisë Kurti.
Gërvalla po ashtu shtoi se sa i përket punëve në sundimin e ligjit, e demokracisë, Kosova qëndron shumë më mirë se Shqipëria, teksa s’e la pa e krahasuar këtë arritje edhe me shtetin serb.
“Gjithkujtë që i duket i zbehtë shkëlqimi i Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, do t’i këshilloja që t’i studiojë të gjitha sondazhet, të gjitha studimet e mekanizmave të rëndësishëm ndërkombëtar, të cilër Republikën e Kosovës e vendosin si lider të demokracisë, të sundimit të ligjit, të vlerave demokratike në të gjithë rajonin tonë. Pra, para Shqipërisë, para Serbisë, para Malit të Zi, para Maqedonisë së Veriut, para Bosnje e Hercegovinës. Ky është realiteti”, tha Gërvalla për KlanKosova.
E para e MPJD-së gjithashtu shtoi se Kosova e ka shkëlqimin e saj në fushat të cilat përkojnë me vlerat evropiane dhe me rrugën drejt Bashkimit Evropian.
E njëjta teksa ia rikujtoi vitet që Kosova e Shqipëria janë të pavarura duke i krahasuar, e quajti Ramën indirekt “këshilltar i keq”.
“Mendoj që të flasësh në vetën e parë është gjithmonë një këshilltar i keq në vlerësimin e vetëvetes dhe të arritjeve të tua, sepse ajo çka tha z. Rama më duket një pretendim i cili kërkon një refuzim të menjëhershëm”, shtoi ndër tjera ministrja Gërvalla.