Një aksion i madh i Policisë nisi në orët e hershme të mëngjesit të sotëm në Kaçanik.
Synimi dhe plani i Njësive Speciale të Policisë ishte arrestimi i të dyshuarve për vrasjen e rreshterit policor, Muhamed Lika. Ky i fundit ishte vrarë më 1 prill teksa po kthehej në banesën e tij.
Aksioni i Policisë përfundoi me 7 të arrestuar, të cilët dyshohet se i përkasin një grupi të dyshuar ekstremist-kriminal.
Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, në një konferencë për të ditur se në mesin e të arrestuarve ishte një i dyshuar që sot mbushi 18 vjet. I njëjti, dyshohet të jetë ekzekutuesi i krimit.
“Këta persona të dyshuar, disa nga ta kanë qenë të arrestuar në këtë rast, dhe të njëjtit janë të arrestuar edhe sot. Janë të dyshuar se janë planifikuar dhe vrasjen e policit”, tha Hoxha.
“Janë sekuestruar dy vetura, telefona, lap-topë, armë zyrtare me 30 fishekë, maska, tyta të armëve, kapela sportive, dylbi dhe dëshmi të tjera. Ka marrë pjesë njësitet policore, operacioni është udhëhequr nga drejtoria e hetimit të krimeve të rënda, dhe në asistencë kanë qenë Njësitet Speciale. Vrasja ka ndodhur për shkak të detyrës së tij zyrtare. Motivi do të qartësohet pas intervistimit dhe pas ekzaminimit të dëshmive që janë sekuestruar. Lidhet me punën e tij”, tha Hoxha.
Në mesin e të arrestuarve është edhe djali i një polici, ku u sekuestrua edhe një armë e zjarrit.
Kryeprokurori i Prokurorisë në Ferizaj tha se është herët të thuhet nëse grupi ka qenë terrorist.
“Punë e palodhshme është bërë nga Prokuroria. Sot kemi rezultat preliminar, ku 7 persona po intervistohen dhe do të vazhdohet procedura më tutje. Çka dua të them është që bashkëpunimi mes institucioneve gjithmonë rezulton me rezultate pozitive, siç është rasti sot. Si Prokurori e Polici ia kemi pas borxh rreshterit Lika që të kemi këtë punë dhe këtë rezultat. Deri më tani është herët të flasim për motivin, sipas asaj që kemi hetuar, lidhet motivi kryesor me punën e tij si pjesëtar i Policisë. Nga ato që kemi bërë deri më tash nuk vërtetohet që ka vepruar grup me celula, por që është grup prej 7 personave që kanë marrë pjesë në kryerjen e kësaj vepre penale. Nuk ka asgjë lidhje me djegien e lokalit. Nuk ka çojnë në ndërlidhje”, tha ai.
Në mesin e të arrestuarve është edhe një ish-pjesëtar i FSK-së.
Dy nga personat që raportohet të jenë arrestuar për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika, janë Rejhan Bela (18 vjeçar) dhe Haki Bela.
Të njëjtit kishin një faqe në Tik-Tok ku ‘ligjëronin’ për fenë islame.
Prokuroria ka dorëzuar kërkesën për paraburgim për të miturin.
“Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 01.04.2025, reth ores 23:00, neë Kaçanik, në rrugën “Idriz Seferi”, përkatësisht në katin e II-të të hyrjes së ndërtesës, i mituri në bashkëkryerje me madhorët me iniciale: H.B., R.M., V. ç., E.L., Sh.K., dhe D.G., me dashje dhe përgatitje paraprake ka privuar nga jeta tani të ndjerin zyrtarin policor, M.L., në atë mënyrë që viktima pas përfundimit të orarit të punës, rrugës për në banesen e tij, ku i njëjti ishte përcjellur në vazhdimesi nga madhorët deri te hymja e banesës se tij ku,pasi që hynë në objektin e banesës ku ka jetuar duke u ngjitur shkallëve, i mituri i shkon nga mbrapa dhe pasi që viktima hynë në objektin banesor pas tij hyn edhe i mituri, ku me të takuar të ndjerin ka shtënë në drejtim të tij me armë zjarri.”, thuhet në komunikatë.