“Jam rikthyer me dëshirë tek rrënjët e vjetra”. Kështu thotë ish-komandanti i UÇK-së, Naser Shatri, që tani do të quhet Luigj, në një rrëfim për Gazetën Demos, pas konvertimit nga feja muslimane në atë katolike.
“Unë jam rikthyer tek rrënjët e vjetra të familjes, ashtu e quaj, jam rikthyer me dëshirë, marrë parasysh edhe situatën politike në Kosovë dhe ma morri mendja që nuk mundem më të rri në një bashkësi ku shahet Skënderbeu, flamuri ynë kombëtar, Nënë Tereza dhe shumë figura të tjera”, tha Shatri për Demos.
Shatri tutje ka treguar se cila ka qenë arseja që e ka ndërruar edhe emrin, nga Naser në Luigj, derisa i ka kërkuar falje gjyshit të tij lidhur me këtë veprim.
“Ne jemi të ardhur nga Isniqi. Atu kam ndërruar dhe emrin. I kërkoj falje babgjyshit të ndjerë. Tash e mbas Luigj do të quhem dhe gjithë këtë e kam bërë me dëshirë…Asgjë nuk më lidh me një emër arab, për të cilin nuk e di as cfarë do të thotë, për Luigjin ne e dim sepse Luigj ka qenë dhe ka mbet një emër shumë i njohur tek shqiptarët”, ka shtuar tutje Shatri.
Shatri ka treguar se si e kanë pritur familjarët, miqtë vendimin për t’u konvertuar në fenë katolike.
“Mua më kanë uruar fëmija. Njëra prej vajzave ka qenë pak me druajtje. Edhe ajo ma uroi por disi shumë e befasuar, por e kupton edhe ajo sepse është rritur në Suedi dhe fëmijët e mi nuk kanë bërë dallime, a me shku në kishë apo diku tjetër, unë si kam ndaluar, sepse tash po shihet se shumëcka po gatuhet edhe në xhami dhe po dalin ekstremista që po dalin shumë të keqi dhe këto nuk i lejon feja muslimane. Unë kurrë nuk e shaj, edhe Kurani i madhërishëm është libër i shenjtë dhe ai na mëson vetëm paqe dhe dashuri… Feja muslimane është bërë paralele… andaj dola dhe mirë që dola nga feja muslimane”, tha Shatri.
Shatri nder tjerash, thotë se ndjehet i zhgënjyer me predikuesit e fesë në xhamia. “Kjo e keqe ka ardh pas luftës në Kosovë, i ka shtrirë rrënjet dhe ka depërtuar shumë lehtë, marrë parasysh që shteti ka qenë shumë i paaftë dhe nuk ka dashur të merret me njerëz që kanë ardhur nga jashtë me porosi të ndryshme për ta përqarë popullin shqiptarë dhe për ta kthyer diku tjetër…Bindjet fetare kanë qenë më të buta më përpara, tash ka filluar të prishet shumë keq dhe jam shumë I zhgënjyer me këta që predikojnë në disa prej xhamiave. Duhet të kemi shumë kujdes që të mos përqahemi si popull. Për hir të kombit dhe cështjes kombëtare jam afruar tek feja katolike dhe kam kaluar në katolik dhe mburrem që jam”, shtoi për fund ai.