I jepet lamtumira e fundit ish-ministrit, Abdixhiku: Ali Sadriu e kuptoi se politika nuk është zhurmë, por përgjegjësi
I është dhënë lamtumira e fundit ish-ministrit të parë të Financave pas luftës në Kosovës, i cili vdiq dje, Ali Sadriu.
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku së bashku me disa anëtarë tjerë të kësaj partie morën pjesë në mbledhjen komemorative, me çrast i shprehën ngushëllime familjes Sadriu, teksa lartësuan kontributin e dhënë ndër vite të ish-ministrit.
Postimi i plotë:
Sot i dhamë lamtumirën e fundit një njeriu të mirë dhe një shërbyesi të ndershëm të Kosovës, Ali Sadriut. Nderuam jo vetëm një figure publike, por mbi të gjitha një njeri të qetë, të urtë dhe të drejtë, që e jetoi politikën si mision dhe jo si skenë.
Ali Sadriu ishte mbi të gjitha njeri i mirë, i matur në fjalë, i vendosur në qëndrime. Një njeri që e kuptonte se politika nuk është zhurmë, por përgjegjësi, nuk është shfaqje, por shërbim. Ai i takonte një brezi që besonte se shteti ndërtohet me durim, ligj dhe karakter.
Si Ministër i parë I Financave, në Kosovën e pasluftës, ai vuri themelet e ekonomike e financiare të Republikês sonë të re. Në kohë të tij, u hartua për herë të parë Buxheti i Kosovës; e u themeluan institucionet më të rëndësishme të vendit; Banka Qendrore, Administrata Tatimore e Dogana e Kosovës.
Ali Sadriu do të mungojë. Do të mungojë fjala e tij e qetë, prania e tij e matur, këshilla e tij e sinqertë. Por vepra e tij mbetet. Emri i tij mbetet. Kujtimi për të do të jetojë në familjen e tij, në LDK dhe në historinë e këtij vendi. Në këtë dhimbje jemi pranë familjes së tij, bashkëshortes Minire, fëmijëve Qëndresa, Fitore, Saranda, Fatbardha dhe Flamur.
Në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe në emrin tim personal, shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Sadriu.
Lutemi që shpirti i tij të prehet në paqe.
I qoftë i lehtë dheu i Kosovës.