Një bisedë e nisur me premtime dhe e përfunduar me bllokime.
Hamdi Nrecaj, i dyshuari për shitjen e diplomave false, fillimisht la të kuptohej se kishte njohje dhe mundësi për të “rregulluar” dokumente shkollore, por kur pyetjet u shtuan, u zhduk nga rrjetet.
Ky i fundit tha se dikush më herët në Mitrovicë e kryente këtë punë, megjithatë, për momentin nuk dëshiron të përfshihet.
Mirëpo, pas disa ditëve, i njëjti i bëri bllok gazetares së emisionit.
Megjithatë, insistimi i gazetares për një takim nuk përfundoi me kaq. Sërish e kontaktoi nga një numër tjetër i telefonit.
Nrecaj fillimisht refuzoi të përgjigjej, duke thënë se nuk merret me këtë punë.
Ai vazhdonte të thoshte se nuk dëshiron të përfshihet dhe se është i zënë në punën e tij si roje sigurie në një kompani private në qytetin e Ferizajt.
Pas kërkesave të njëpasnjëshme të gazetares së emisionit Kiks Kosova, që të takoheshin të paktën për një kafe e bisedë, Nrecaj u dakordua, duke lënë një takim për të dielën në Ferizaj.
E diela erdhi dhe Hamdiu nuk doli në takim.
Siç duket, ndërroi mendje, pasi takimi i premtuar u anulua në mesnatë.
Sipas informacioneve që Kiks Kosova ka gjetur në terren, ndërmjetësues mes Hamdi Nrecajt, i cili i ka punuar këto diploma false, dhe klientëve, respektivisht personave që blenë këto diploma, ishte Fahri Grainca, një tjetër ferizajas.
Duket se Grainca ishte ndër klientët e parë, meqë Nrecaj kishte thënë se ia kishte bërë diplomën me të cilën Grainca tashmë punon në Kazakistan.
Kjo dëshmohet nga disa biseda të siguruara nga emisioni në mes të Nrecajt dhe N.S., personi i cili ishte mashtruar me shërbimet e ferizajasit.
Kiks Kosova provoi të kontaktonte edhe me Fahri Graincën, i cili, sipas informacioneve që deri më tani ka redaksia, jeton dhe vepron në Kazakistan.
Përderisa numri i telefonit të tij nuk kishte qasje, emisioni i dërgoi ftesë dhe mesazh edhe në rrjetin social në Facebook, por deri në momentin që po transmetohet kjo kronikë, Grainca nuk ka kthyer përgjigje.