Rezoluta e Propozuar nga PDK-ja përmes së cilës kërkohej që Qeveria të gjente një zgjidhje për sigurimin e ndërprerjes së grevës ka dështuar që të vihet në votim për shkak të mungesës së kuorumit.
Kryekuvendari Glauk Konjufca pasi kërkoi që deputetët të thirren përmes ziles në sallën e kuvendit, njoftoj se në sallë ishin vetëm 54 deputetë.
“I biem edhe ziles pak te shohim a po ndryshon rezultati”, tha ai
“Vetëm 54 deputetë po marrin pjesë në këtë seancë, kështu që nuk ka kuorum. Kjo rezolutë votohet nesër në orën 10”, shtoi Konjufca.
Ndryshe, rezoluta e PDK-së ka tre pika, të cilat i shpalosi deputeti dhe shefi i grupi parlamentar të kësaj partie, Abelard Tahiri.
“Kuvendi i republikës kërkon nga Qeveria e Kosovës që në afat 48 orësh nga miratimi i kësaj rezolute të zhvillojë negociatat e nevojshme me këshillin grevist të BSPK-së, apo personat e autorizuar të BSPK-së deri në zgjedhjen përfundimtare që siguron ndërprerjen e grevës”, tha ai.
“Kërkojmë nga Qeveria që në afat prej 5 ditëve nga miratimi i kësaj rezolute të përfshijë përfaqësuese të autorizuar të BSPK-së në grupin punues të hartimit të Ligjit të Pagave para miratimit të tij. Kërkojmë nga Qeveria e Kosovës të propozojë masat për adresimin e kërkesave të tjera nga sindikatat”, përfundoi Tahiri.