Hyseni i përgjigjet Vuçiqit: Po e keqinterpreton Marrëveshjen e Uashingtonit, moratoriumi ka mbaruar

Kosova tashmë zyrtarisht ka dorëzuar aplikimin për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Këtë e ka konfirmuar ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla – Schwarz, e cila e ka dorëzuar sot personalisht aplikimin për anëtarësim.

Por, aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës si duket po i pengon, si shpesh herë, presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Në një deklaratë për media, Vuçiq ka thënë se Kosova ka shkelur marrëveshjen e Uashingtonit me vendimin për të aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Gërvalla para pesë minutash ka dorëzuar kërkesën zyrtare për aplikim të Kosovës në Këshillin e Evropës. Me këtë ata treguan se e kanë përmbysur, shkelur brutalisht marrëveshjen e Uashingtonit. Pas dhjetë vjetësh të shkeljes së marrëveshjes së Brukselit, ata tani po shkelin marrëveshjen e Uashingtonit”, tha Vuçiq për mediat serbe.

Në anën tjetër, ish-koordinatori i Kosovës për dialogun me Serbinë, Skënder Hyseni, ka deklaruar se Vuçiq duket se e ka keqinterpretuar Marrëveshjen e Uashingtonit, e cila ishte nënshkruar më 4 shtator të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë në SHBA.

“Së pari është patjetër lajm i mirë që është dorëzuar aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Ndërkohë, duket që Vuçiq e ka keqinterpretuar marrëveshjen e Shtëpisë së Bardhë sepse moratoriumi i dyanshëm ka qenë i përcaktuar qartë që zgjat vetëm një vit”, ka thënë Hyseni për lajmi.net.

Ai ka deklaruar se moratoriumi i nënshkruar mes Kosovës e Serbisë në Uashington ka skaduar qysh në shtator të vitit të kaluar, andaj Kosova ka të drejtën e aplikimit për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Reklama