Teuta Elshani, e bija e shkrimtar Ymer Elshanit, poetit që u masakrua në Poklek nga forcat serbe së bashku me tërë familjen, e ftuar në emisionin “Frontal” ka rrëfyer ditën e 17 prillit të 1999, ku pushtuesi serb kreu një nga masakrat më të mëdha gjatë kohës së luftës.
Si personi i vetëm i gjallë nga familja e ngushtë, Elshani thotë se ngritja e zërit për kërkimin e drejtësisë për familjen e saj e shtyn të jetoj e të angazhohet çdo ditë e më shumë.
“Në lajmet e mbrëmjes e morëm lajmin, fillimisht menduam që është lajm i rremë e më pas mendonin që nuk janë të gjithë familja. Unë jam e vetmja nga familja e Ymer Elshanit që kam mbijetuar. Unë po vazhdoj të jetoj edhe që të jem zëri i tyre, ta vazhdoj trungun familjar. Nga Maqedonia kam migruar në ShBA, pasi kthimi në Kosovë ishte diçka e paimagjinueshme për mua, aty kam filluar të punoj, kam krijuar familjen time. Çdo vit, unë kthehem në Kosovë, pasi jemi shumë të lidhur me atdheun”, është shprehur ajo.
Mes emocioneve, ajo ka folur për jetën dhe veprën e babait të saj, një shkrimtar e poet i madh shqiptar.
“Ymeri ka qenë një një shumë i veçantë, ka qenë i dashut nga të gjithë e komunikues. E ka dashur shumë natyrën, reflektonte mirësi e njërzillëk. Ka shkruar për fëmijët e gijthë botës. Unë në Kosovë jam kthyer pas një vit inga Masakra, atëherë ishte edhe gjyshi gjallë. Vizita e parë ishte shumë e vështirë, ndoshta edhe e papërballueshme, për hirë të gjyshit u desh të qëndroja e fortë, por që mora edhe forcë aty se takova familjarë tjerë, e disa dëshmitarë”, ka deklaruar ajo.
Historinë e vuatjet e saja, thotë që vitet e fundit ka filluar t’ua rrëfej edhe fëmijëve të saj.
“Nuk e di as vetë si kam jetuar deri sot pa njerzit më të dashut, duke ditur që jam vetëm unë, jam munduar të mos lëkundem, si kam migruar kam filluar punën menjëherë, po mundohem të bëj një jetë normale, kam financuar botimin e të gjitha librave të babait, fillova edhe renovimin e shtëpisë, por pasi shteti e mori përsipër e ndërpreva, pasi ajo shtëpi më së paku është për mua, pasi u takon tjerëve. Në librat e mi shkruaj, se mbeta vetëm unë, shtëpia e libra, tani shtëpinë po u jap vizitorëve e librat lexuesve. Aterimi në Aeroportin e Prishtinës është një ndjenjë e veçantë, asnjë aeroport i botës nuk është më i mirë, për ne që jetojmë larg e dijmë këtë më së miri. Gradualisht u kam treguar edhe fëmijëve të mi historinë time e të familjes sime, para dy vitesh u tregova për herë të parë”, ka rrëfyer Elshani.