Humanistja shqiptaro-amerikane, Mirlinda Bajraktari është sponzorizuese e misionit të radhës së organizatës “Gift of Life International”, përmes së cilit shërohen fëmijët që vuajnë nga anomalitë e zemrës, shkruan GazetaDemos.
Bajraktari që është edhe vajza e aktivistitit shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktari, është shprehur se përmes këtyre misioneve synon të ndjek rrugën e babait të saj.
“E vetmja fjalë që më bie ndërmend është fjala ‘krenare’. Jam shumë krenare që jam pjesë e një familjeje të fuqishme dhe të mrekullueshme. Sidomos, babai im është modeli im që e ndjek. Duke parë se çfarë ka bërë vit pas viti, dekadë pas dekadë për komunitetin, është asgjë më pak se sa inspiruese. Pra, krenare do të ishte përgjigja ime. Roli im është të ndihmoj në çdo mënyrë që mundem. Aktualisht jam në New York, punoj në “Real Estate Division” ku ndihmoj në menaxhimin e pronave, ndihmoj në zhvillimin e tyre, dhe shpresoj se tani jam duke i ndjekur hapat e babait tim, kur është tek humaniteti dhe puna, duke i ndihmuar komunitetit, duke ardhur në Kosovë e duke shpresuar të kem një ndikim, ashtu siç bëri ai”, ka deklaruar ajo në emisionin “n’Demos”.
Bajraktari ka treguar edhe si lindi ideja që të financojë këtë mision, për të cilin ka siguruar se nuk do të jetë i fundit që bën.
“Që të mos vija në këtë mision, kurrë nuk më ka shkuar mendja. Sapo dëgjova për këtë mision, se ishim duke e sponsorizuar atë, doja të isha këtu. Doja ta shihja si po ndikonim te jetët e komunitetit, se si po bashkoheshim si komunitet të ndihmojmë njerëzit tanë, si t’i inspirojmë të tjerët që ta ndjekin rrugën tonë, të vijnë këtu, të investojnë në komunitetin tonë dhe ta bëjmë një komunitet më të mirë. Kjo është hera ime e parë dhe definitivisht jo e fundit. Dhe, shpresoj se nuk do të jetë misioni im i fundit, që do të ndihmoj. Pra, jam duke shikuar që në të ardhmen se si mund të ndihmojmë dhe si mund ta formësojmë të ardhmen e Kosovës”, ka pohuar humanistja shqiptare.
Përmes këtyre inciativave, Bajraktari ka thënë se synon që të ndikojnë në të ardhmen e Kosovës, jo vetëm në fushën e shëndetësisë, por edhe në fushat tjera.
“Do të jem me Albanën në spital, duke ndihmuar në çdo mënyrë që do mundem, qoftë duke i ndihmuar fëmijët që të futen në sallën e operimit, duke i bërë të ndihen rehat kur zgjohen. Pra, do të jem në spital duke ndihmuar. Ky brez, më të vërtetë duhet të bëjë një hap prapa dhe të mendojnë se ku dëshirojnë ta shohin te ardhmen e Kosovës dhe pastaj të vazhdojnë drejt saj, pavarësisht nëse është shëndetësi, energji ose çfarëdo tjetër. Ka shume lidhje, ka shume organizata me të cilat mund të bashkohen, por duhet të investosh, duhet ta duash atë ndryshim, duhet të lidhesh me njerëzit, duhet të vish këtu ta shohësh këtë shtet, ta shikosh se sa larg ka ecur. Njëzet e dy vjet kanë kaluar nga lufta dhe është e jashtëzakonshme, nuk do ta dijë kurrë që ka pasur luftë këtu, nuk do ta dijë që këtu ka pasur vështirësi në mënyrën se si njerëzit i menaxhuan ato. Kosova arriti ta ndërtojë vetveten dhe ti duhet të mendosh për të ardhmen dhe ku e sheh atë, e cila është duke shkuar, dhe si do ta ndihmosh Kosovën”, ka përfunuar Mirlinda Bajraktari, transmeton GazetaDemos.
Emisionin e plotë mund ta ndiqni këtu: