Sot u varrosën dy të rinjtë që u vranë para disa ditësh në Klinë, raporton Demos.
Në varrimin e tyre morën pjesë qytetarë të shumtë, e kryetari i kësaj komune, Zenun Elezaj.
Hoxha Xhevat Kryeziu pas ceremonisë së varrimit tha se kanë filluar ta normalizojnë situatën në mes dy familjeve.
“Ne sot morëm pjesë në një varrim të dy djemve të rijnë që fatkeqësisht vdekja e tyre ishte e dhimbshme, e rënd e motivuar. Por, apeloj te populli shqiptar që t’i edukojmë fëmijët tanë, familjet tona, njerëzit tanë që të mos vijmë te më e keqja se vetëm Zoti ka të drejt të ia merr shpirt, ne të tjerët nuk kemi të drejt. Unë kam ndërmjetësuar parmbrëmë, kam qenë tek familja Shlivova, një familje e fort, ka qenë një pritje e jashtëzakonshme. Kemi filluar që ta normalizojmë situatën, që t’i ftohim gjakrat. Dhe po shpresojmë që në këtë familje do të jemi të shohim se çka do bëjmë”, tha hoxhë Kryeziu.
Hoxhë Kryeziu ka thënë se pavarësisht së gjakmarrja është ndalur, rastet e vrasjeve nuk po ndalen.
“Unë vij nga lëvizja e pajtimit të gjaqeve, këto 35 vite jemi marr me këtë fenomen, por fatkeqësisht që nuk po ndalen rastet. Por, kemi arritur të bëjmë një punë të madhe dhe e kemi ndalur gjakmarrjen. Kemi punuar që të mos bëhet hakmarrje. Vrasjet po bëhen, por gjak-marrjet s’po bëhen. Kështu që urojmë që i madhi Zot të na ndihmoj që të mos kemi as gjak-marrje, as vëlla vrasje se na duhet jeta, na duhet bashkimi. Vetëm kur jemi të bashkuar arrijmë synimet tona, qëllim tonë, në këtë rrugëtim të shtetndërtimit tonë. Vetëm kur jemi të bashkuar, kur jemi unik është arritja dhe fitorja jonë”, ka thënë ai.