Njohësi i çështjeve mediale, Abit Hoxha, ka reaguar pas publikimit të raportit të organizatës “Reporterët pa Kufij” (RSF), duke ngritur shqetësime serioze për gjendjen e lirisë së shtypit në Kosovë dhe për qasjen e pushtetit ndaj mediave.
Në një postim publik, Hoxha tha se rënia në vlerësimin ndërkombëtar për lirinë e mediave duhet të analizojë dy çështje thelbësore: përpjekjen e pushtetit për të kontrolluar mediat dhe sulmet e drejtpërdrejta ndaj gazetarëve të pavarur.
Hoxha nuk kurseu kritika edhe ndaj presidentes Osmani dhe kryetarit të VV-së Albin Kurti.
” Pushteti, rrjedhimisht edhe përkrahësit e fallangat e pushtetit që pozojnë si media apo gazetar po mundohen me kontrollu sektorin e medias që me i shtypë gazetarët, fjalën e lirë e rrjedhimisht edhe lirinë. Ketu, kanë faj edhe lidershipi i zgjedhun. Ekskluzivisht dy persona. Fajin më së shumti e ka Presidentja e cila pothuajse asnjëherë se flet asnjë fjalë për dhunën ndaj gazetarëve edhe medias. Ajo, pajtohet me zotëriun e parë se media është “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale” pasiqë nuk reagon për këtë punë. Pastaj, Kryeministri që sulmon median hapur dhe inspiron tjerët të flasin kundër medias. Tjerët pastaj, janë kori i çakorduar që ju bën qejfin këtyre për arsye të ulta”, shkroi ai mes tjerash.