Projektligji që do t’i hapte rrugë rritjes së pagës minimale, ka mbetur ashtu si para 5 muajsh, kur edhe u votua në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës.
Sipas rregullores pas miratimit në lexim të parë, projektligji duhet të procedohet në lexim të dytë brenda dy-tre muajsh, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Ky projektligji që parasheh rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto është duke u zvarritur.
Këtë e thotë për Front Online edhe deputeti, Avdullah Hoti, që më parë ishte kryeministër i Kosovës.
Hoti thotë se nuk ka asnjë zhvillim sa i përket Projektligjit për Pagën Minimale.
“Nuk ka asnjë zhvillim. Nuk është formuar grupi punues dhe nuk janë zhvilluar konsultimet e nevojshme për ta përgatitur shqyrtimin e dytë në Kuvend”, tha ai.
Hoti thotë se këtë projektligj po e bllokon partia në pushtet.
“Sigurisht mazhoranca e di pse po e bllokon. Rritja e pagës minimale është tepër e rëndësishme për mijëra familje”, deklaroi Hoti.
Projektligji për Pagën Minimale është kundërshtuar nga disa parti opozitare, pasi që kanë kërkuar që paga minimale neto të rritet në 370 euro.
Po ashtu, ky projektligj nuk parasheh lidhjen e pagës minimale me pensionin e veteranëve të luftës ashtu siç është aktualisht. Këta të fundit e kundërshtuan këtë projektligj duke protestuar, e një veprim të tillë thonë se do ta bëjnë edhe në kohën kur ky projektligj do të vie në lexim të dytë në Kuvend.
Janë kontaktuar edhe me deputetë të tjerë të pozitës dhe opozitës që janë pjesë e Komisionit për Buxhet, por thonë se nuk kanë informacione se kur do të vie në Komision ky projektligj.
Përgjigje për këtë nuk ka kthyer as kryetari i këtij Komisioni, Armend Muja.