Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka reaguar pas refuzimit që kjo parti i bëri kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti për koalicion.
Hoti ka shkruar në Facebook se nuk duhet të ketë dhe nuk do të ketë marrëveshje me askënd që ka synim shkatërrimin e LDK-së dhe shkatërrimin e vendit.
“JO!LDK e ka të qartë vullnetin e elektoratit të vet. Nuk mund askush të flasë për vullnetin e elektoratit tonë. Nuk duhet të ketë dhe nuk do të ketë marrëveshje me askënd që ka synim shkatërimin e LDK-së dhe shkatërrimin e vendit. Zoti e bekoftë Lidhjen Demokratike të Kosovës!”, ka shkruar Hoti.
Ndryshe, sot kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka propozuar një qeveri nacionale të tranzicionit me të gjitha partitë shqiptare deri në zgjedhjen e presidentit të ri për të dalë nga bllokada aktuale në Kuvendin e Kosovës.
Ky propozim vjen pas ftesës së Albin Kurtit, për koalicionin LVV-LDK.
“Zgjidhjen nga kjo bllokadë e konsideron si të doemosdoshme. Propozoijmë nisjen e një procesi të ri politk. […] LDK propozon nisjen e këtij procesi, fillimisht konsultativ me të gjitha partitë shqiptare, me qellim fillimin e një qeverie nacionale të tranzicionit, një qeveri me afat të caktuar, deri në zgjidhjen e Presidentit”, u tha Abdixhiku gazetareve pas takimit me kryesinë e LDK-së.