Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, tha se deklarimet e Ndihmës-sekretarit Amerikan të Shtetit, James O’Brien, duhet të merren me shumë shqetësim.
Hoti shkroi në Facebook se “Marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në janë ekzistenciale”.
“Kush nuk e kupton këtë nuk e meriton të jetë në krye të institucioneve”, shkroi Hoti ndër të tjera.
Bartësit e institucioneve të vendit, shkruan ai, e kanë për obligim të mirëmbajnë këto marrëdhënie të pacenueshme.
“Keq. Në prag të përvjetorit të pavarësisë, do të duhej të merrnim mesazhe urimi”, përfundoi ai.
Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, ka thënë se Shtetet e Bashkuara mund të mos e trajtojnë Kosovën si partnere, nëse ajo merr vendime pa u konsultuar me të, pas vendimit për ndalimin e dinarit.
O’Brien tha: “Unë nuk bëj kërcënime të vagëta publikisht. Unë do të thosha, nëse ne nuk trajtohemi si partnerë, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”.