Me propozim të Ministrisë së Financave, Qeveria e Kosovës kishte emëruar Hekuran Nikçin si Kryeinspektor të Inspektoratit të Punës, shkruan Gazeta Demos.
Sipas vendimit të Këshillit, për këtë pozitë nuk ishte shpallur fare konkurs publik, i cili kërkohet me Ligjin për Zyrtaret Publik, pra Nikçi u emërua në pozitë jashtëligjshëm nga Qeveria e Kosovës.
Madje Nikçi në këtë pozitë qëndroi për dy vite radhazi e përveç kësaj kishte edhe shkelje të tjera gjatë kohës sa ai ishte në krye të këtij inspektorati.
Gazeta Demos merr vesh nga burimet e saja se me vendim të Ministrit të Financave të Kosovës, Hekuran Murati, në vend të Hekuran Nikçit është caktuar si ushtrues detyre i Drejtorit Ekzekutiv të Inspektoratit Qëndror të Punës, Rizah Plakolli.
Kujtojmë se më datë 27.02.2025, Hekuran Nikçi sëbashku me Naim Shalakun i njohur si u.d Menaxher i Njësisë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore në Inspektoratin Qendror të Punës, u shoqëruan në stacionin policor ku u ndaluan për 48 orë.
”“Prokuroria Themelore në Prishtinë, e njofton opinionin publik, se sot, me datë 27.02.2025, nga Policia e Kosovës, Sektori për Hetime Financiare – Njësia kundër Pastrimit të Parave në kuadër Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prishtinë, janë intervistuar të dyshuarit Hekuran Nikçi, Kryeinspektor i Inspektoratit Qendror të Punës në Republikën e Kosovës dhe Naim Shalaku, U.D Menaxher i Njësisë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore në Inspektoratin Qendror të Punës, të cilët me Urdhër të Prokurorit të Shtetit nga Departamenti për Krime të Rënda, janë ndalur për 48 orë, për shkak të dyshimit të bazuar se, i dyshuari Hekuran Nikçi i ka kryer veprat penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 1 të KPRK-së, Cenimi i të drejtave nga marrëdhënia e punës nga neni 218 të KPRK-së dhe Përdorimi i paautorizuar të pasurisë nga neni 420 të KPRK-së, ndërsa i dyshuari Naim Shalaku, për shkak të dyshimit të bazuar se i ka kryer veprat penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 1 të KPRK-së dhe Cenimi i të drejtave nga marrëdhënia e punës në vazhdimësi nga neni 218 lidhur me nenin 77 të KPRK-së”,thuhej në njoftimin për media.