Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu në konferencën për media pas dështimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit foli edhe për formimin e Qeverisë, ku theksoi se paraprakisht duhet të mbahet mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm për të votuar mandatarin e qeverisë, shkruan Reporteri.net.
Ajo sqaroi se pas kësaj, Arbërie Nagavci, si kryesuese e KP-së, do ta dërgojë emrin e kryeministrit Albin Kurti te presidentja Vjosa Osmani, e cila më pas pritet të veprojë në këtë drejtim.
Sipas Haxhiut, këto hapa janë të domosdoshëm për funksionimin demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës.
“Ne kemi thënë edhe në seancën e fundit konstituive që ne do t’i shikojmë mundësitë që ta bëjmë ketë. Na duhet paraprakisht që ta kemi një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm ku e votojmë mandatarin dhe pastaj Arbërie Negavci si kryesuese e KP ta dërgojë emrin e kryeministrit Kurti te presidentja Osmani dhe mandej presim që presidentja Osmani të punojë në këtë drejtim, pikërisht në emër të funksionimit demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës”, tha Haxhiu në konferencë.