Prokuroria Speciale e Republikës Kosovës me një komunikatë për media i ka reaguar deklarimeve të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Kjo e fundit mbrëmë në një nga televizonet publike potencoi se veprimet e organeve të ndjekjes në kryerjen e punëve të tyre janë “filma të lodhtë’,
“Vetë fakti çfarë kanë bërë me rastin e rezervave shtetërore, për shembull, e keni parë Gjykata e Apelit ka thënë që nuk ka justifikim për t’i mbajtur në paraburgim për faktin se nuk konsiderohet që personat e dyshuar kanë kryer vepër penale. E ata shkun si nëpër filma ashtu të bëjnë skena, kishe po nxjerrin dosje, po sigurisht që kur vjen n’shpi te unë, kur vjen n’shpi te ti, n’shpi të tjerëve, diçka ke me marrë dosje ose kur shkon në institucion, na kemi laptopa, kemi telefona, t’i ke mi marrë, ke mi sekuestru, konfesku e të tjera. Tash kur duken ato në popull, konsiderohet që megjithatë paskan gjetur diçka. Filma të lodht të tyne, ka filma shumë të mirë, po mirëpo këto filma të lodht të Prokurorisë Speciale dhe ata le të vazhdojnë hetimet, domethënë ata janë të lirë komplet t’i bëjnë punët që i kanë nisur ndaj meje, ndaj Rozetës, ndaj krejt Qeverisë, ndaj Kryeministrit Kurti, hiç problem s’e kemi”, u shpreh Haxhiu.
E për këtë kanë reaguar nga Prokuroria Speciale.
Ata shprehën të shqetësuar me gjuhën që vazhdimisht po e përdorë pushteti ndaj tyre.
Nga kjo prokurori thanë se puna e tyre më së miri e demanton ministren Haxhiu.
Ata edhe njëherë i bënë thirrje edhe ministres Haxhiu edhe vet Qeverisë që të mos lëshohen në deklarata të pamatura.
Njoftimi i plotë:
Reagim i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) ndaj deklaratave të Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të dhëna mbrëmë në emisionin “Context” në ATV
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës shpreh shqetësimin e thellë për riciklimin e vazhdueshëm të deklaratave paragjykuese, të pamatura dhe të paverifikuara ndaj PSRK-së nga ana e Ministres së Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu, siç ndodhi mbrëmë në emisionin “Context” të ATV-së.
Prononcimet e paskrupullta publike të Ministres së Drejtësisë, për, kinse, mosveprim dhe neglizhencë të PSRK-së ndaj rasteve të ndryshme, demantohen plotësisht nga aktivitetet dhe raportet zyrtare të PSRK-së që pasqyrojnë dhe tregojnë qartazi të kundërtën e asaj që predikon pandalshëm dhe përditë kjo ministre.
Në këtë aspekt, theksojmë se deklarimet e tilla burojnë dhe artikulohen nga pasaktësitë maksimale, nuk kanë të bëjnë asgjë me realitetin dhe janë tërësisht tendencioze ndaj kësaj prokurorie, sepse të thuash se PSRK-ja kontrollon dhe mbikëqyrë vendimet e krejt sistemit prokurorial kinse për verifikimin dhe shkeljen e mundshme të ndonjë ligji, vërtet është një nonsens i llojit të veçantë publik, i padëgjuar dhe krejtësisht imagjinar, gjë që na bënë të vijmë në përfundim se deklaratat e tilla ngritën dhe shuhen në kuadër të spekulimeve, sepse servohen vetëm për nevoja të agjendave ditore politike.
PSRK-ja bënë me dije se kompetencat dhe veprimtaria e saj në kuadër të Prokurorit të Shtetit nuk janë hartuar dhe nuk zbatohen me paragjykime nga askush dhe nuk realizohen në bazë të vullnetit të dikujt jashtë sistemit prokurorial, por përbëjnë ligjshmëri, legjitimitet dhe profesionalizëm, me anët të realizimit të bashkëpunimit dhe bashkëveprimit të ngushtë me akterët në kuadër të sistemit prokurorial dhe me të gjitha institucionet e tjera në suaza të kompetencave përkatëse, si dhe duke respektuar normat dhe standardet e funksionimit demokratik të institucioneve në Republikën e Kosovës.
Prandaj, PSRK-ja, me këtë rast, i bënë thirrje Ministres Haxhiu që më në fund të fillojë të përmbahet nga deklaratat e vazhdueshme shantazhuese dhe nënçmuese ndaj PSRK-së dhe ndaj punës së Kryeprokurorit dhe prokurorëve të saj, sepse kjo përbën tendencë të hapur për të ndikuar në punë, për të ndërhyrë në kompetencat dhe në veprimtarinë legjitime të kësaj prokurorie dhe ndaj punës së prokurorëve të shtetit dhe nuk ka se si të quhet ndryshe përveç se si tentativë e pathemeltë dhe e dështuar.
PSRK-ja, deklaron se do të punojë dhe veprojë fuqishëm dhe do të mbrojë me të gjitha mjetet juridike-ligjore në dispozicion punën e saj profesionale dhe njëherësh i bënë thirrje publike Ministres së Drejtësisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës që të lënë anash deklaratat dhe presionet avantureske dhe të kota, të cilat, faktikisht, janë në kundërshtim me ligjet në fuqi dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Rrjedhimisht, PSRK-ja deklaron se, si institucion i pavarur dhe i paanshëm në ushtrimin e mandatit të vet, do t’i shkojë deri në fund çdo rasti që është në dëm të institucioneve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës, pavarësisht se kush është, në çka beson dhe çfarë ka bërë dhe çfarë bënë.
Puna dhe misioni ynë do të jenë jashtë agjendave të politikës ditore, sepse vlerësimi i punës së prokurorive dhe prokurorëve nuk varet nga vullneti i individëve, subjekteve dhe grupeve të caktuara