Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka komentuar Raportin e BE-së për Kosovën, i cili u publikua të mërkurën, shkruan GazetDemos.
Haxhiu përmes një postimi në Facebook, ka thënë se, në krahasim me vitet e tjera, ndërhyrjet politike në sistemin e drejtësisë nuk janë kritikuar në raportin e sivjetëm, duke shtuar se kjo është shumë e rëndësishme për ne si Qeveri dhe për Kosovën dhe të ardhmen e saj.
Ndër të tjera Haxhiu ka folur edhe për reformat e nisura, të cilat ajo thotë se do të garantojnë funksionimin efikas të sistemit të drejtësisë.
“Reformat që kemi nisur, do të garantojnë sistem të pavarur, efikas e funksional të drejtësisë. Ndryshimet ligjore që i kemi bërë dhe mekanizmat që do të themelohen do të garantojnë luftim të korrupsionit e krimit të organizuar. Kosova po bëhet shtet i së drejtës dhe me institucione që do të gëzojnë besimin e qytetarëve”, ka shkruar Haxhiu.