Në dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ish-komandanti i UÇK-së, Haxhi Shala, është dënuar me tri vite burg për pengim të drejtësisë, shkruan Gazeta Demos.
Kryegjyqtares Mappie Veldt-Foglia tha se më 3 shkurt 2025 palët dorëzuan parashtrimin lidhur me zhdëmtimet.
“Në emër të Popullit të Kosovës, trupi gjykues ju shpall fajtor. Pengim të personave zyrtarë përmes pjesëmarrjes në grup në vitin 2020. Haxhi Shala dënohet me tri vite burgim. Zotëri Januzi dënohet me dy vite burg dhe zotëri Ismet Bahtijari dënohet me dy vite burgim”, tha kryetarja e trupit gjykues.
Shala, Januzi dhe Bahtijari përmes një marrëveshje me Zyrën e Prokurorit të Specializuar, e kishin pranuar fajësinë për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë dhe atë të frikësimit.
Ndërsa, në fillim të seancës, Shala, Januzi dhe Bahtijari deklaruan se janë pajtuar që të paguajnë në total 500 euro për zhdëmtimin e viktimës në këtë rast, të identifikuar vetëm si “viktima 01”.
Në bazë të pajtimit Shala do t’i paguajë 400 euro, Januzi 100 euro, ndërsa, Bahtijari nuk do të paguajë për zhdëmtim.