Futbollisti i FC Suhareka, Mevlan Zeka, është përzgjedhur si “Ylli i Javës” për xhiron e 34-të në Albi Mall Superligë.
Ky vlerësim vjen nga Federata e Futbollit të Kosovës dhe sponsori zyrtar i kampionatit, Albi Mall.
Vendimi është marrë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, përbërë nga Naim Kodraliu, Enver Prapashtica dhe Fisnik Ademi, të cilët vlerësuan paraqitjen mbresëlënëse të Zekës, i cili realizoi hat-trick në fitoren 4:2 ndaj FC Llapit.
Pas marrjes së çmimit, Zeka u shpreh i lumtur për vlerësimin, duke theksuar sfidat e fundit të ekipit dhe mobilizimin për të siguruar qëndrimin në elitën e futbollit kosovar.
“Kemi pas vështirësi gjate kampionatit sidomos në ndeshjet e fundit ku kishim krizë me rezultatet. Kemi zhvilluar ndeshje shumë të mira por epilogu i takimit ishte kundër nesh. Jemi mobilizuar maksimalisht që Suhareka të qendroj në superligë sepse brenda skuadres tonë ka futbollist që kanë bartur barrën kryesore edhe në ekipet ku kane qenë me herët, kemi lojtar kampion dhe do të ishte mëkat qe këta futbollist te bien nga kategoria, tha ai për faqen zyrtare të FFK-së.