Hashani nga IKD vlerëson se zinxhiri i drejtësisë në vend nuk funksionon si duhet

Hulumtuesja nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Gzime Hashani, ka vlerësuar që në rastet e dhunës në familje kryerësit nuk kanë marrë dënime efektive që do të arrinin qëllimin që të mos përsëriteshin vepra të tilla. Ajo si e ftuar në emisionin Info Magazinë, në Klankosova, ka thënë se ka një zinxhir që nuk funksionon si duhet, duke nisur nga policia që sipas saj në rastet e dhunës në familje nuk ndërmerr masat e nevojshme, që kryerësit e veprave penale të vendosen para drejtësisë.

“Ne kemi analizuar aktgjykimet tek rastet e marra nga ana e gjykatës ndaj kryerësve të veprave penale të dhunës në familje dhe dënimet ndaj këtyre kryerësve janë kryesisht dënime me kusht ose dënime me gjobë, gjykata ndaj tyre nuk shqipton dënime me burgim efektiv, dënime që do të arrinin qëllimin e dënimit që vepra të tilla të mos përsëriten”

Tutje Hashani bënë të ditur që gjatë periudhës 2000-2020, rreth 445 raste të vrasjeve janë të ende të pazbuluara. Sipas saj shteti në njëfarë forme ka dështuar që në të gjitha këto raste t’i vë para drejtësisë kryerësit e veprave.

“Tek rastet e vrasjeve gjykatat kanë marrë vendime të cilat nuk kanë qenë në përputhje me kërkesat ligjore. Ka pasur raste ku është asgjësuar arma me të cilën është kryer vepra penale, një gjë e tillë kishte ndodhur në rastin e njohur si “Bon Vivant”, të vrasjes që ka ndodhur në qendër të Prishtinës. Në rastin e Diana Kastratit, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se shteti nuk ka kryer obligimin e tij ndaj të ndjerës, pasiqë e ndjera ndonëse kishe bërë thirrje për ndihmë tek organet kompetente një gjë të tillë nuk e kishte pasur dhe dihet  se si ka qenë epilogu i këtij rasti.”

Kurse për rastin e fundit të 18 vjeçares nga Ferizaj, Hashani  thotë se do të vazhdojnë ta monitorojnë punën e policisë dhe prokurorisë deri në zbardhjen e rastit.

Reklama