Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka thënë se draft-statuti i hartuar prej Perëndimit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, krijon autonomi politiko-territoriale me kompetenca të theksuara shtetërore.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai ka thënë se nuk do të thotë që dokumenti bëhet kushtetues vetëm pse mund të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.
Ai e përmend se draftet për Asociacionin do të duhej të ishin në përputhje me aktgjykimin e vitit 2015 të Gjykatës Kushtetuese, mirëpo drafti aktual nuk e ka marrë atë fare për bazë, duke e përjashtuar nga preambula.
Hasani e ka përmendur si mundësi edhe ndryshimin e aktgjykimit të vitit 2015, ndonëse ka sqaruar se diçka e tillë mund të bëhet vetëm duke u bazuar në kriteret jashtë Kushtetutës: politike, sociologjike, morale.
Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje në draft-statut, përmbajtja e të cilit është konfirmuar nga disa burime të REL-it në Bruksel. Qeveria e Kosovës nuk e ka komentuar për vërtetësinë e tij.
Radio Evropa e Lirë: Së fundi në publik është duke qarkulluar një draft-statut i hartuar prej zyrtarëve evropianë, për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë? Si e vlerësoni ju këtë dokument?
Enver Hasani: Kjo përmbajtje e këtij statuti është derivat i drejtpërdrejtë i Marrëveshjes së Brukselit, përkatësisht aneksit të Ohrit. Do të thotë, është i dedikuar për zbatimin e një autonomie politiko-territoriale, e cila ka autorizime të theksuara kushtetuese, përmbajtje shtetërore. Pjesa e kompetencave, që ka të bëjë me zhvillimin ekonomik, kulturor, përfaqësimin politik, të gjitha ato janë përgjegjësi të Republikës së Kosovës dhe përgjegjësi me Kushtetutë, sikurse në të gjitha vendet tjera të rajonit, dhe tani ato kompetenca i uzurpon Asociacioni. Mbi këtë bazë, kjo është tërësisht Kushtetutë e re, bëhet fjalë për shkrimin e një Kushtetute të dytë të Kosovës, që vlen vetëm për serbët.
Radio Evropa e Lirë: Nëse ky dokument shkon në Gjykatën Kushtetuese, cili do të jetë rezultati?
Enver Hasani: Fakti që shkon në Gjykatën Kushtetuese nuk do të thotë që është kushtetues, për shkak se, për të qenë kushtetues, në statut do të duhej ta kishte si bazë aktgjykimin e vitit 2015, jo Rezolutën 1244, dhe përveç rezolutës, të citohet në preambulë, dhe më vonë në tekst, Karta Evropiane, në mënyrë fiktive, komplet fiktive.
Ato nene kanë të bëjmë me autonomi me komunat, me pushtetin lokal dhe jo me politikat ekonomiko-territoriale që i rregullon statuti aty. Për të qenë sipas Kushtetutës, do të duhej ta kishte parametër aktgjykimin e vitit 2015. Ai aktgjykim është eliminuar, nuk ekziston në preambulën e statutit. Prandaj, gjykata nuk ka kompetencë të bëjë vlerësimin e përmbajtjes, kushtetutshmërisë së statutit të një entiteti tjetër, jashtë atij që ekziston në Kushtetutë.