Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Nait Hasani, ka deklaruar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ka kërkuar votën përmes emisarëve për të siguruar mbështetje në konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Albulena Haxhiut si kryetare të Kuvendit.
Hasani tha se kërkesa ka qenë personale dhe e drejtpërdrejtë, por ai e ka refuzuar, duke e cilësuar Kurtin si të padenjë për të marrë mbështetje politike nga ai.
“Më ka çuar ftesë mua personalisht. Më kanë thënë kërkojmë votën tënde, përmes emisarëve që i ka pasur. Kanë ardhur dhe më kanë thënë: ‘Ke një kërkesë prej kryeministrit, me ardh me bisedu, kërkoj mbështetjen tënde me votu’. I kam thënë jo. Nuk e meriton. Për shkak se ka bërë një veprim që unë drejtpërdrejtë ia kam kërkuar – të shkojë në vizitë në Gjykatën Speciale – ka thënë ‘do të shkojmë’ dhe nuk ka shkuar”, deklaroi Hasani në emisionin FIVE në Dukagjini.
Hasani po ashtu reagoi ndaj gjuhës së përdorur nga Kurti, i cili së fundmi i ka quajtur deputetët opozitarë “nomadë”, duke i akuzuar për bllokim të procesit të konstituimit të Kuvendit.
Sipas Hasanit, kjo qasje është fyese dhe e papranueshme në raport me përfaqësuesit e popullit.
“Mendoj që është një shprehje jo e drejtë e përdorur nga ish-kryeministri. Kur në anën tjetër kërkon të votohet, e në anën tjetër i quan njerëz pa shtëpi. Dhe t’i thuash deputetëve ‘nuk keni shtëpi’, ‘jeni endacakë’, në kuptimin ‘jeni rrugaçë’, është ndjenjë e rëndë dhe fyese. T’i fyesh deputetët dhe njëkohësisht t’u kërkosh votën është jashtë logjikës. Kjo tregon se ‘unë nuk iu dua juve, unë dua vetëm mbështetjen tuaj’. Prandaj nuk i ka votat”, tha ai.
Procesi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës mbetet ende i bllokuar pas zgjedhjeve të parakohshme, ndërsa partitë vazhdojnë konsultimet për formimin e institucioneve të reja.