Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, tha se arsyeja pse deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti, po e zvarrit procesin e konstituimit të institucioneve të reja lidhet drejtpërdrejt me marrëveshjet ndërkombëtare të vitit 2023, të cilat, siç thotë, e kanë futur Kosovën në një udhë pa kthim – zbatimin e zotimt ndërkombëtar të Kosovës për “krijimin e autonomisë politiko-territoriale serbe.”
Sipas Hasanit, Kurti është i vetëdijshëm se Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit të vitit 2023, të cilat i ka pranuar personalisht, përbëjnë themelin e një autonomie politiko-territoriale për komunitetin serb në Kosovë – të cilën dokumentet zyrtare e quajnë “vetëmenaxhim”.
“Arsyeja kryesore pse zoti Kurti nuk dëshiron konstituimin e institucioneve – ose më saktë, dëshiron ta bëjë atë duke ndarë fajin me opozitën – lidhet drejtpërdrejt me Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit. Siç dihet, zoti Kurti ka pranuar krijimin e autonomisë politiko-territoriale serbe, e cila në kuptimin juridiko-teknik, në këto marrëveshje të vitit 2023 të aprovuara prej tij, quhet vetëmenaxhim. Ky është një term profesional i përdorur në kulturën perëndimore si emërues i përbashkët për të gjitha llojet e autonomive.” – tha Hasani.
Ai ka paralajmëruar se qeveria e ardhshme, cilado qoftë ajo, nuk do të ketë alternativë tjetër veçse të zbatojë këto marrëveshje ndërkombëtare.
Për Hasanin, bllokada aktuale është një taktikë e Kurtit për të fituar kohë dhe për të shmangur përplasjen e drejtpërdrejtë me opinionin publik.
“Prandaj, zoti Kurti, me sjellje që sabotojnë formimin e institucioneve të reja qendrore, po përpiqet të ndajë përgjegjësinë me opozitën, që faji të mos mbetet vetëm mbi të. Por kjo rezistencë ka kufij dhe një ditë do të thyhet, sepse nuk ka rrugë tjetër. Atëherë Kosova nuk do të diskutojë më nëse do të zbatohet autonomia, por vetëm për shpejtësinë e zbatimit të saj.
Shembull është rasti i Këshillit të Evropës: ne e humbëm shansin, megjithëse zbatuam vendimin për kthimin e tokave të Manastirit të Deçanit, por e bëmë shumë vonë. Njëjtë do të ndodhë edhe me marrëveshjet e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit për autonominë serbe në Kosovë. Çdo rezistencë, çdo përjashtim i serbëve nga institucionet dhe çdo mosintegrim i tyre në mënyrë diskriminuese vetëm sa përshpejton dhe legjitimon themelimin e autonomisë.” – u shpreh ish-kryetari i Kushtetueses.
Hasani ka theksuar gjithashtu se ky është edhe shkaku kryesor pse aleatët perëndimorë nuk po ndërhyjnë në procesin e formimit të institucioneve, siç kanë bërë në të kaluarën.
Sipas tij, Perëndimi nuk e sheh me prioritet kush është në pushtet në Kosovë, por vetëm realizimin e zotimeve që tashmë janë marrë.
“Çështja e themelimit të autonomisë serbe, sipas zotimeve që ka marrë zoti Kurti në Bruksel dhe Ohër më 2023, është arsyeja kryesore pse perëndimorët – aleatët dhe miqtë e Kosovës – nuk ndërhyjnë fare në procesin e formimit të institucioneve, siç bënin dikur. Atyre u intereson vetëm dërgimi i draft-Statutit të Bashkimit Evropian në Gjykatën Kushtetuese dhe më pas zbatimi i autonomisë serbe. Për ta nuk ka rëndësi kush është në pushtet, sepse e dinë që kushdo që të vijë në qeveri do të detyrohet ta zbatojë këtë zotim ndërkombëtar të Kosovës. Këtu e ka hallin Albin Kurti – askund tjetër.” – deklaroi Hasani për Nacionalen.