Ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, ka folur mbi vendimin e Gjykatës Themelore që gjyqtarëve dhe prokurorëve të mos iu ulen pagat.
Hasani tha se ka mekanizma të brendshëm të cilët gjyqtarëve dhe prokurorëve iu ofrojnë një lloj garancie në punën e tyre që pagat të mos mund të iu ulen, përpos në situata që janë të rregulluara me instrumente juridike të brendshme dhe të jashtme.
“Me të drejtën tonë të brendshme, gjyqtari mund të ulet në detyrë dhe mund t’i ulet paga vetëm nëse ka masa disiplinore ndaj tij. Pastaj, me statutin e gjyqtarëve evropian, në mënyrë eksplicite shkruan se gjyqtarëve mund t’iu ulen pagat vetëm në raste të jashtëzakonshme”.
“Me një precedent që tanimë veç është krijuar në Gjykatën e Strasburgut dhe tani po iu shërben si bazë edhe vendeve të tjera, ku qartë thuhet se gjyqtarëve dhe prokurorëve mund t’iu ulen pagat vetëm nëse keni restrikcione ekonomike dhe ky restrikcion ekonomik është vërtetuar nga FMN-ja”, Hasani në Klan Kosova.
Më tej, ai tha se në rast se pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve ulen nga ana e pushtetit, kjo konsiderohet tendencë për të ndikuar në punën e gjyqësorit.
“Sipas standardeve, kur kemi të bëjmë me këtë pushtet, edhe atëherë kur pagat ulen konsiderohet një lloj ndikimi apo një lloj tendence për të ndikuar në punën e gjyqësorit”.
“Kështu që unë konsiderojë që është çështje problematike për t’i ulur pagat pasi në kohën kur janë rritur pagat, vlerësoj se vendimi nuk menduar mirë për faktin se është e pamundur pastaj për të krijuar bazë për t’ia ulur pagën gjyqtarëve dhe prokurorëve”, tha ai.