Kandidati për kryeministër nga AAK , Ramush Haradinaj, ka vlerësuar procesin zgjedhor në Kosovë, duke e cilësuar atë si një dëshmi të pjekurisë demokratike të vendit.
Haradinaj është shprehur i lumtur që votimet deri më tani kanë kaluar pa incidente serioze dhe në një frymë demokratike.
“Ju që akoma nuk keni votuar, ju ftoj që ta shfrytëzoni të drejtën tuaj dhe të votoni. Vetëm me votë mund të bëheni pjesë e vendimmarrjes e t’i zgjidhni përfaqësuesit tuaj në Parlament e në Qeveri,” ka thënë ai.
Postimi i plotë:
Të dashur qytetarë të Kosovës me të drejtë vote,
Kosova edhe një herë po e jep provimin e vet të demokracisë. Jam shumë i lumtur që votimet e deritashme kanë kaluar pa asnjë incident serioz dhe në një frymë tolerante e krejtësisht demokratike.
Meritat më të mëdha për këtë mbarëvajtje i kanë vajzat dhe djemtë që janë marrë me organizimin e zgjedhjeve, shtabet e të gjitha partive politike dhe organet ligjzbatuese.
Meqenëse kanë mbetur edhe pak orë deri në mbylljen e kutive, ju që akoma nuk keni votuar, ju ftoj që ta shfrytëzoni të drejtën tuaj dhe të votoni. Vetëm me votë mund të bëheni pjesë e vendimmarrjes e t’i zgjidhni përfaqësuesit tuaj në Parlament e në Qeveri.
Vota juaj është veprimi më i madh që mund ta bëni sot për vendin tuaj!
Me respekt,
Ramush Haradinaj